Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 18:19-40

Gjoni 18:19-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij. Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga e në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë e nuk kam folur kurrë fshehtas. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë». Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë e i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?». Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja, por nëse fola mirë, përse më godet?». Atëherë Hanahu e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa. Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?». Ai e mohoi e tha: «Nuk jam». Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?». Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli. Pastaj Jezuin e çuan nga Kajafa në pretorium. Ishte mëngjes herët dhe judenjtë nuk hynë në pretorium që të mos ndyheshin e që të mund të hanin Pashkën. Atëherë Pilati doli përjashta e u tha: «Çfarë padie ngrini kundër këtij njeriu?». Ata iu përgjigjën: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta dorëzonim ty». Pilati u tha: «Atëherë merreni ju e gjykojeni sipas ligjit tuaj». Judenjtë i thanë: «Neve nuk na lejohet të vrasim njeri». Kjo, që të vërtetohej fjala që kishte thënë Jezui kur kishte treguar se me ç'vdekje do të vdiste. Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezuin e i tha: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui u përgjigj: «Këtë e thua nga vetja apo ta kanë thënë të tjerë?». Pilati i tha: «Mos jam jude unë? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?». Jezui u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos bija në dorë të judenjve. Por mbretëria ime nuk është prej këtej». Atëherë Pilati i tha: «Pra, ti qenke mbret?». Jezui u përgjigj: «Ti vetë po e thua se unë jam mbret. Unë prandaj kam lindur e kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës e dëgjon zërin tim». Pilati i tha: «Çfarë është e vërteta?». Pasi tha këto fjalë, Pilati doli përsëri e u tha judenjve: «Unë nuk gjej asnjë shkak për ta dënuar. Ju keni zakonin t'ju liroj për Pashkë një të dënuar. A doni, pra, t'ju liroj mbretin e judenjve?». Ata thirrën përsëri: «Jo këtë, por Barabën». Baraba ishte kusar.

Gjoni 18:19-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij. Jezusi iu përgjigj: ''Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë, dhe s'kam thënë asgjë në fshehtësi. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç'u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë''. Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ''Kështu i përgjigjesh kryepriftit?''. Jezusi i tha: ''Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?''. Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kaiafa, kryeprifti. Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ''Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?''. Ai e mohoi dhe tha: ''Nuk jam''. Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ''A s'të pashë në kopsht me të?''. Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli. Pastaj nga Kaiafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën. Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ''Ç'padi sillni kundër këtij njeriu?''. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar''. Atëherë Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj'' Por judenjtë i thanë: ''Neve nuk na lejohet të vrasim njeri''. Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç'vdekje duhej të vdiste. Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ''A je ti mbreti i judenjve?''. Jezusi iu përgjigj: ''E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?''. Pilati iu përgjigj: ''Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?''. Jezusi u përgjigj: ''Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej''. Atëherë Pilati i tha: ''Ti, pra, qenke mbret?''. Jezusi u përgjigj: ''Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim''. Pilati e pyeti: ''Ç'është e vërteta?''. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para judenjve dhe u tha atyre: ''Unë nuk po gjej në të asnjë faj! Por ndër ju është zakon që unë t'ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t'ju liroj mbretin e judenjve?''. Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ''Jo këtë, por Barabanë!''. Por Baraba ishte një kusar.