Levitiku 2:1-10 - Krahaso të Gjitha Versionet
Levitiku 2:1-10 ALBB (Bibla Shqip 1994)
"Kur dikush i sjell si fli Zotit një blatim, oferta e tij të jetë nga maja e miellit; le të derdhë vaj mbi të dhe t'i vërë temjan sipër. Do t'ia çojë priftërinjve, bijve të Aaronit; prifti do të marrë prej saj një grusht majë mielli dhe vaji me gjithë temjanin dhe do ta tymosë mbi altar si kujtim. Është një flijim i bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin. Ajo që mbetet nga blatimi do të jetë për Aaronin dhe bijtë e tij; është një gjë shumë e shenjtë e bërë me zjarr për Zotin. Kur çon si fli një blatim ushqimesh të pjekura në furrë, do të jetë me kulaç prej maje mielli, pa maja, të zëna me vaj dhe me revani pa maja të lyer me vaj. Por në qoftë se ofrimi jote është një blatim ushqimi të pjekur në skarë, do të jetë prej majës së miellit të përzier me vaj dhe pa maja. Do ta ndash në copa dhe do të derdhësh vaj mbi të; është një blatim ushqimor. Por në rast se flija jote është një blatim ushqimi i gatuar në tigan, do të jetë prej majës së miellit me vaj. Do t'i çosh Zotit blatimin ushqimor të përgatitur me këto gjëra; do t'i paraqitet priftit, që do ta çojë në altar. Prifti do të marrë nga blatimi pjesën që do të shërbejë si kujtim dhe do ta tymosë mbi altar. Është një flijim i bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin. Ajo që mbetet nga blatimi i ushqimit do të jetë për Aaronin dhe bijtë e tij; është një gjë shumë e shenjtë ndër flijimet e bëra me zjarr për Zotin.
Levitiku 2:1-10 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
«Kush dëshiron t'i kushtojë ZOTIT fli drithi, t'i kushtojë majë mielli. Të derdhë mbi të vaj e t'i vërë përsipër temjan. T'ua paraqesë priftërinjve, bijve të Aronit. Prifti ta mbushë grushtin me majë mielli e me vaj, të marrë tërë temjanin e ta shkrumbojë mbi altar si fli përkujtimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për ZOTIN. Çka mbetet prej flisë së drithit i takon Aronit e bijve të tij. Kjo është një pjesë shumë e shenjtë e flive të zjarrit për ZOTIN. Nëse kushton fli drithi të pjekur në furrë, të kushtojë kuleç me majë mielli, pa tharm, të përzier me vaj, si edhe pite pa tharm të lyera me vaj. Nëse kushton fli drithi të pjekur në saç, të jetë me majë mielli përzier me vaj e pa tharm. Ndaje në copa e hidhi vaj përsipër. Kjo është flija e drithit. Nëse kushton fli drithi të skuqur në tigan, të jetë me majë mielli përzier me vaj. Paraqitja ZOTIT flinë e drithit të gatuar me këto gjëra. Jepja priftit, që ta çojë në altar. Prifti të ndajë një pjesë nga flija e drithit e ta shkrumbojë mbi altar si fli përkujtimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për ZOTIN. Çka mbetet prej flisë së drithit i takon Aronit e bijve të tij. Kjo është një pjesë shumë e shenjtë e flive të zjarrit për ZOTIN.