Luka 1:26-33
Luka 1:26-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty». Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim».
Luka 1:26-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria. Dhe engjëlli hyri tek ajo dhe tha: ''Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë''. Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë. Dhe engjëlli i tha: ''Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur''.