Luka 11:1-12
Luka 11:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni i mësoi dishepujt e vet». Ai u tha: «Kur të luteni thoni: Atë, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote! Bukën tonë të përditshme na e jep çdo ditë e na i fal mëkatet tona, se edhe ne ua falim detyronjësve tanë. E mos na vër në sprovë». Pastaj u tha: «E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep tri bukë, se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t'i vënë përpara”. E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t'i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t'i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij. Dhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. A ka ndër ju ndonjë atë që do t'i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t'i jepte një akrep?
Luka 11:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: ''Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet''. Dhe ai u tha: ''Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë. Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme. Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu"''. Pastaj u tha atyre: ''A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë, sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s'kam çfarë t'i vë përpara"; dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t'i jap"? Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t'ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t'i japë të gjitha bukët që i nevojiten. Prandaj po ju them: Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet. Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t'i hapet atij që troket. Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t'i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t'i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër? Ose, po t'i kërkojë një vezë, i jep një akrep?