Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 18:1-14

Luka 18:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj Jezui u tha një shëmbëlltyrë për t'u treguar se duhet të luten gjithmonë, pa hequr dorë. Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit. Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”. Për njëfarë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit, meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t'ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur pareshtur, do të më bëjë ta humb durimin”». E Zoti tha: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë. Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t'i ndihmojë? Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?». Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Dy njerëz shkuan për t'u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia”. Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”. Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet».

Luka 18:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur, duke thënë: ''Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri. Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: "Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim". Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: "Megjithëse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s'kam respekt për asnjeri, duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t'ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë"''. Dhe Zoti tha: ''Dëgjoni ç'thotë gjykatësi i padrejtë. Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre? Po, unë ju them se ai do t'ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?''. Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët. ''Dy njerëz u ngjitën në tempull për t'u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam". Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t'i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit". Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartësohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartësohet''.