Luka 20:27-40
Luka 20:27-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan pa fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa lënë fëmijë. I dyti e pastaj i treti u martuan me gruan e tij dhe që të shtatë nuk lanë fëmijë kur vdiqën. Në fund vdiq edhe gruaja. Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». Jezui u tha: «Bijtë e kësaj bote martohen e martojnë, por ata që janë vlerësuar të denjë t'i përkasin botës tjetër e të arrijnë ngjalljen prej të vdekurve, as martohen, as martojnë. Ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, meqenëse janë bij të ngjalljes. Edhe Moisiu e ka treguar se të vdekurit do të ngjallen kur, te shkurrja, e quan Zotin, Perëndi të Abrahamit, Perëndi të Isakut e Perëndi të Jakobit. Pra, ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Perëndinë». Atëherë disa nga farisenjtë i thanë: «Mësues, fole mirë». Dhe nuk guxonin ta pyesnin më.
Luka 20:27-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj iu afruan disa saducenj, të cilët mohojnë se ka ringjallje, dhe e pyetën, duke thënë: ''Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vëllai i dikujt vdes kishte grua dhe vdiq pa lënë fëmijë, i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t'i ngjallë pasardhës vëllait të vet. Tashti, ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë. I dyti e mori për grua dhe vdiq edhe ai pa lënë fëmijë. E mori pastaj i treti; dhe kështu që të shtatë vdiqën pa lënë fëmijë. Dhe pas tyre vdiq edhe gruaja. Atëherë, në ringjallje, e kujt do të jetë grua? Sepse që të shtatë e patën grua''. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: ''Bijtë e kësaj bote martohen dhe martojnë; por ata që do të gjenden të denjë të kenë pjesë në botën tjetër dhe në ringjalljen e të vdekurve, nuk martohen dhe nuk martojnë; ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes. Dhe se të vdekurit do të ringjallen, e ka deklaruar vetë Moisiu te ferrishtja, kur e quan Zot, Perëndinë e Abrahamit, Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakobit. Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të''. Atëherë disa skribë morën fjalën dhe thanë: ''Mësues, mirë fole''. Dhe nuk guxuan më t'i bëjnë asnjë pyetje.