Mateu 14:25-33
Mateu 14:25-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në agim, Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen. Por kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika. Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë». Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë e shkoi te Jezui, por kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!». Menjëherë, Jezui zgjati dorën, e kapi e i tha: «Përse dyshove, o besimpakët?». Kur hipën në varkë, era pushoi. Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë e i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë».
Mateu 14:25-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det. Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Është një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika; por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''. Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''. Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi. Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''. Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''. Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi. Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ''Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!''.