Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 23:1-39

Mateu 23:1-39 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Jezui u tha turmave e dishepujve: «Shkruesit e farisenjtë janë ulur në katerdrën e Moisiut. Bëni e zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, se nuk veprojnë siç thonë. Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi e ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht. Të gjitha veprat i bëjnë për t'u dukur para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera e cepat e petkut të gjata. U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga. Duan që njerëzit t'i përshëndesin nëpër sheshe e t'i thërrasin “mësues”. Por ju mos lejoni t'ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër. Mos quani askënd mbi tokë atë, se Ati juaj është një: ai që është në qiell. Mos lejoni t'ju thërrasin prijës, se e keni një prijës, Krishtin. Kush është më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. Kush lartëson veten, përulet dhe kush përul veten, lartësohet». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që u mbyllni njerëzve mbretërinë e qiellit! As vetë nuk hyni brenda e as lejoni të hyjnë ata që duan». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që përshkoni detin e tokën për të kthyer një njeri në besim dhe më pas e bëni bir të Gehenës dy herë më shumë se veten tuaj!». «Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër, që thoni: “Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gjë, por nëse betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin”. Të marrë e të verbër! Çfarë është më i rëndësishëm, ari apo tempulli që e shenjtëron arin? Ju thoni: “Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gjë, por nëse betohet për dhuratën që gjendet mbi altar, është i detyruar të mbajë betimin”. Të verbër! Çfarë është më e rëndësishme, dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën? Sepse kush betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që gjendet mbi altar. Kush betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon në tempull. Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur mbi fron». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por lini pas dore gjërat më me peshë të ligjit: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. Udhërrëfyes të verbër! Ju kulloni pijen për të hequr mushkonjën, por gëlltitni devenë!». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por brenda ato janë plot me vjedhje e shfrenim. Farise i verbër, pastro më parë anën e brendshme të kupës e të pjatës, që të jetë e pastër edhe ana e jashtme». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju ngjani me varre të zbardhura që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish e gjithfarë ndyrësish. Kështu, nga jashtë ju shfaqeni para njerëzve si të drejtë, por përbrenda jeni plot hipokrizi e paudhësi». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, se ndërtoni varret e profetëve e stolisni përmendoret e të drejtëve! Ju thoni: “Po të kishim jetuar ne në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim marrë pjesë në derdhjen e gjakut të profetëve”. Kështu dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bij të atyre që vranë profetët. Çojeni deri në fund veprën e nisur nga etërit tuaj. Gjarpërinj e pjellë nepërkash, si do t'i shmangeni dënimit të Gehenës? Prandaj unë po ju dërgoj juve profetë, të urtë dhe shkrues. Disa prej tyre do t'i vrisni e do t'i kryqëzoni, të tjerë do t'i rrihni në sinagogat tuaja e do t'i përndiqni nga qyteti në qytet dhe kështu do të bjerë mbi ju tërë gjaku i drejtë i derdhur mbi tokë, që nga gjaku i Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakut, që e vratë mes shenjtërores e altarit. Me të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brezni». «Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë i vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni: bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! ».

Mateu 23:1-39 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet, duke thënë: ''Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut. Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t'ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë. Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht. Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t'u dukur nga njerëzit; i zgjerojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre. Duan kryet e vendit në gosti dhe vendet e para në sinagoga, si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabi, rabi nga njerëzit. Por ju mos lejoni që t'ju quajnë rabi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej. As mos lejoni që t'ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti. Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj. Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet. Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë. Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë. Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë një proselit, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju! Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s'është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar". Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin? Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s'është gjë; por në qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar". Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën? Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të! Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje. Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të. Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mendrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t'i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat. Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë! Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime. Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër. Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish. Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi. Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve, dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve". Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët. Ju e kaloni masën e etërve tuaj! O gjarpërinj, o pjellë nepërkash! Si do t'i shpëtoni gjykimit të Gehenas? Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t'i vritni dhe do t'i kryqëzoni, disa të tjerë do t'i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t'i persekutoni nga një qytet në tjetrin, që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zakarias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit. Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez. Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë. Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më derisa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!"''.