Logoja e Programit të Biblës
Ikona e kërkimit

Mateu 23:23-28 - Krahaso të Gjitha Versionet

Mateu 23:23-28 ALBB (Bibla Shqip 1994)

Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mendrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t'i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat. Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë! Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime. Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër. Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish. Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.

Mateu 23:23-28 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))

«Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por lini pas dore gjërat më me peshë të ligjit: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. Udhërrëfyes të verbër! Ju kulloni pijen për të hequr mushkonjën, por gëlltitni devenë!». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por brenda ato janë plot me vjedhje e shfrenim. Farise i verbër, pastro më parë anën e brendshme të kupës e të pjatës, që të jetë e pastër edhe ana e jashtme». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju ngjani me varre të zbardhura që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish e gjithfarë ndyrësish. Kështu, nga jashtë ju shfaqeni para njerëzve si të drejtë, por përbrenda jeni plot hipokrizi e paudhësi».