Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 6:19-34

Mateu 6:19-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t'i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote». «Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!». «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë». «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani e çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? Shikoni zogjtë e qiellit! Ata as mbjellin, as korrin, as mbledhin në grunarë e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë? Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? Po për veshjet, përse shqetësoheni? Shikoni si rriten zambakët e fushave. Ata as nuk lodhen e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni, në gjithë madhështinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë edhe ato gjëra. Prandaj mos u shqetësoni për të nesërmen. E nesërmja ka shqetësimet e veta. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet».

Mateu 6:19-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj. Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira! Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t'i qëndrojë besnik njërit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit. Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja? Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambarë; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t'i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm? Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata. Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t'ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë? Mos u shqetësoni, pra duke thënë: "Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?". Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t'ju shtohen. Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet''.