Mateu 6:5-13
Mateu 6:5-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. Prandaj ju lutuni kështu: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Na i fal detyrimet tona, siç edhe ne ua falëm detyronjësve tanë. E mos na vër në sprovë, por na çliro nga i ligu.
Mateu 6:5-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t'i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht. Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t'u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë. Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t'i kërkoni. Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë. Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".