Marku 1:21-28
Marku 1:21-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden». E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.
Marku 1:21-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit. Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët. Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë, duke thënë: ''Ç'ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë''. Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''. Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij. Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njëri-tjetrin duke thënë: ''Vallë ç'është kjo? Çfarë doktrinë e re qenka kjo? Ky i urdhëruaka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden''. Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë.