Marku 1:40-45
Marku 1:40-45 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua. Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë.
Marku 1:40-45 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe erdhi tek ai një lebros i cili, duke iu lutur, ra në gjunjë dhe i tha: ''Po të duash, ti mund të më pastrosh''. Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, e dua, qofsh pastruar!''. Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua. Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi, duke i thënë: ''Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta''. Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.