Marku 10:46-52
Marku 10:46-52 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kështu arritën në Jeriko. Ndërsa po nisej që andej bashkë me dishepujt e me një turmë të madhe, një lypës i verbër, Bartimeu, biri i Timeut, rrinte ulur në anë të rrugës. Kur dëgjoi se po kalonte Jezui i Nazaretit, ai nisi të bërtiste: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Jezui ndaloi e tha: «Thirreni!». Ata e thirrën të verbrin e i thanë: «Merr zemër! Ngrihu! Ai po të thërret». Ai hodhi tej gunën, brofi më këmbë e shkoi te Jezui. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». I verbri iu përgjigj: «Mësues, dua që të shoh përsëri». Atëherë Jezui i tha: «Shko! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit.
Marku 10:46-52 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte. Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: ''Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!''. Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: ''Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!''. Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbrin duke i thënë: ''Merr zemër, çohu, ai po të thërret!''. Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi. Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: ''Çfarë do që unë të të bëj?''. I verbëri i tha: ''Rabboni, që të më kthehet të parit!''. Dhe Jezusi i tha: ''Shko, besimi yt të shëroi''. Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë.