Marku 11:12-26
Marku 11:12-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Të nesërmen, pasi u kthyen nga Betania, Jezuin e mori uria. Nga larg pa një fik që kishte gjethe e shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve. Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan. Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull e nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave e s'lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull. Jezui i mësonte e u thoshte: «A nuk është shkruar: shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjitha kombet. Por ju e keni bërë shpellë kusarësh». Kryepriftërinjtë e shkruesit dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij. Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti. Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë. Pjetri u kujtua e i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë». Jezui u tha: «Kini besim në Perëndinë! Me të vërtetë po ju them se nëse dikush i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe nuk ka dyshime në zemër, por beson se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet. Prandaj po ju them se çfarëdo që të kërkoni në lutje, besoni se do ta merrni e kështu do të bëhet. Dhe kur ngriheni për t'u lutur, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni atë, që edhe Ati juaj që është në qiell t'jua falë paudhësitë tuaja».
Marku 11:12-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Të nesërmen, kur dolën nga Betania, ai kishte uri. Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s'gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve. Atëherë Jezusi, duke iu drejtuar fikut, tha: ''Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë''. Dhe dishepujt e tij e dëgjuan. Kështu arritën në Jeruzalem. Dhe Jezusi, mbasi hyri në tempull, filloi t'i dëbojë ata që shisnin dhe blinin brenda tempullit dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. Dhe nuk lejoi asnjë që të mbartte sende nëpër tempull. Dhe i mësonte duke u thënë atyre: ''Vallë nuk është shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet"? Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!''. Tani skribët dhe krerët e priftërinjve kur i dëgjuan këto fjalë kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, por kishin frikë prej tij, sepse gjithë turma ishte e mahnitur nga doktrina e tij. Dhe kur u bë darkë, Jezusi doli jashtë qytetit. Të nesërmen në mëngjes, duke kaluar, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë. Dhe Pjetri, duke u kujtuar, i tha: ''Mësues, ja, fiku që ti mallkove qenka tharë''. Atëherë Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Kini besimin e Perëndisë! Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t'i thotë këtij mali: "Luaj vendit dhe hidhu në det", dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t'i bëhet. Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t'i merrni dhe ju do t'i merrni. Dhe kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t'ju falë mëkatet tuaja. Por në se ju nuk falni, as Ati juaj, që është në qiejt, nuk do t'jua falë mëkatet tuaja''.