Marku 13:24-37
Marku 13:24-37 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Në ato ditë, pas pikëllimit, dielli do të errësohet e hëna nuk do të ndriçojë. Yjet do të bien nga qielli e pushtetet që janë në qiell do të tranden. Pastaj do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet të madh e me lavdi. Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, prej skajeve të dheut deri te skajet e qiellit». «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Kini kujdes e rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë koha. Kjo është si puna e atij njeriut që niset për rrugë. Ai largohet nga shtëpia, i cakton secilit shërbëtor punën e vet dhe e urdhëron rojtarin e derës të rrijë zgjuar. Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë, në mbrëmje a në mesnatë, në agim a në mëngjes, që nëse vjen befasisht, të mos ju gjejë në gjumë. Atë që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!».
Marku 13:24-37 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
''Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet; yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi. Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t'i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit. Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera. Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''. ''Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment. Është sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portierin e urdhëron të rrije zgjuar. Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes; që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë. Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!''.