Marku 15:28-36
Marku 15:27-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin. Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites. Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eloi, Eloi lema sabakthani? » që e përkthyer do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise? ». Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë». Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur».
Marku 15:28-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ''Ai u përfshi ndër keqbërësit''. Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!''. Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshin njëri-tjetrit: ''Të tjerët i shpëtoi, por veten s'mund ta shpëtojë. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë''. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë. Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë. Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabakthani?'', që e përkthyer do të thotë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''. Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshin: ''Ja, ai po thërret Elian!''. Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''.