Marku 15:6-15
Marku 15:6-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Për çdo festë Pashke Pilati lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Një njeri që quhej Barabë gjendej në burg bashkë me disa kryengritës të tjerë, të cilët kishin bërë një vrasje në një kryengritje. Atëherë erdhi turma e filloi t'i kërkonte Pilatit atë që ai e kishte zakon të bënte për ta. Pilati i pyeti: «A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?». Sepse ai e kishte kuptuar se kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Jezuin nga smira. Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën që në vend të tij të lironte Barabën. Pilati u tha përsëri: «Atëherë çfarë doni të bëj me atë që e quani mbret të judenjve?». Ata thirrën përsëri: «Kryqëzoje!». Por Pilati u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Atëherë ata thirrën edhe më fort: «Kryqëzoje!». Kështu Pilati, për të kënaqur turmën, liroi Barabën dhe, pasi e fshikulluan Jezuin, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
Marku 15:6-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe në çdo festë ishte zakon t'u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin. Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje. Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta. Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ''A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?''. Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira. Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t'u lironte atyre Barabanë. Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ''Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të judenjve?''. Dhe ata bërtitën përsëri: ''Kryqëzoje!''. Dhe Pilati u tha atyre: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ''Kryqëzoje!''. Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.