Marku 2:23-28
Marku 2:23-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një të shtunë po ecnin përmes një fushe me grurë. Tek po kalonin andej, dishepujt e tij filluan të këpusnin kallinj gruri dhe farisenjtë i thanë: «Ja, përse po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?». Por Jezui u tha: «A e keni lexuar ndonjëherë çfarë bëri Davidi kur u gjet ngushtë dhe e kishte marrë uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, kur ishte kryeprift Abiatari dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve dhe sesi ua dha edhe atyre që ishin me të?». Pastaj u tha: «E shtuna është bërë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. Kështu Biri i njeriut është Zot edhe i të shtunës».
Marku 2:23-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj. Dhe farisenjtë i thanë: ''Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?''. Por ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë ç'bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç'qenë me të?''. Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?''. Pastaj u tha atyre: ''E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën. Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''.