Marku 2:5-12
Marku 2:5-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Biri im, të janë falur mëkatet». Disa shkrues që rrinin aty filluan të mendonin në zemrat e tyre: «Përse flet kështu ky njeri? Ai po fyen Perëndinë. E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». Jezui e kuptoi menjëherë në shpirtin e tij se ata po mendonin kështu, prandaj u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, t'i thuhet të paralizuarit “të janë falur mëkatet” apo t'i thuhet “ngrihu, merre vigun tënd dhe ec”? Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi». Ai u ngrit, mori menjëherë vigun e doli para të gjithëve. Të gjithë u mahnitën dhe përlëvduan Perëndinë e thanë: «Nuk kemi parë asnjëherë diçka të tillë».
Marku 2:5-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: ''O bir, mëkatet e tua të janë falur!''. Por aty po rrinin ulur disa skribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin: ''Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?''. Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: ''Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja? Çfarë është më lehtë: t'i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur", apo t'i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"? Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi dhe, unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!"''. Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: ''Një gjë të tillë s'e kemi parë kurrë!''.