Marku 4:13-20
Marku 4:13-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui u tha: «A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta. Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë, por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë e përndjekja për shkak të fjalës, bien menjëherë. Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën, por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. Por ka edhe nga ata që janë mbjellë në tokë të mirë. Këta e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt tridhjetë, gjashtëdhjetë e njëqindfish».
Marku 4:13-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj u tha atyre: ''Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëherë si do t'i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satani dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre. Po ashtu ata që e marrin farën mbi një gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë. Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme. Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind''.