Marku 5:35-43
Marku 5:35-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës e i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?». Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!». Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Si arritën në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezui pa rrëmujë e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. Kur hyri, u tha: «Përse bërtisni e qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle». Ata e përqeshën. Por ai i nxori të gjithë përjashta, mori me vete të atin e të ëmën e fëmijës dhe ata që e shoqëronin dhe hynë atje ku ishte fëmija. Ai e kapi fëmijën për dore e i tha: «Talitha kum» që përkthehet: «Vashëz, unë po të them: ngrihu!». Vajza e vogël u ngrit menjëherë e filloi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeç. Atëherë u habitën pa masë. Jezui i urdhëroi rreptësisht që askush të mos e merrte vesh këtë gjë e u tha t'i jepnin të hante.
Marku 5:35-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: ''Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?''. Por Jezusi, sapo dëgjoi ç'u tha, i tha kryetarit të sinagogës: ''Mos ki frikë, vetëm ki besim!''. Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit. Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe. Hyri dhe u tha atyre: ''Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza. E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: ''Talitha kumi'', që e përkthyer do të thotë: ''Vajzë, ty po të them: Çohu!''. Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe. Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t'i japin vajzës të hajë.