Marku 6:21-29
Marku 6:21-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë. Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap». Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!». Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit». Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë». Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve. Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg, pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës. Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.
Marku 6:21-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë. Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: ''Më kërko ç'të duash dhe unë do të ta jap''. Dhe iu betua: ''Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!''. Ajo doli dhe i tha s'ëmës: ''Çfarë duhet t'i kërkoj?'' Ajo u përgjigj: ''Kokën e Gjon Pagëzorit!''. Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: ''Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''. Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve. Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit. Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s'ëmës. Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr.