Fjalët e urta 12:1-14
Fjalët e urta 12:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kush do rregullin, do dijen, por kush e urren qortimin, çnjerëzohet. Kush është i mirë ka përkrahjen e ZOTIT, ndërsa njeriun dinak e dënon. Askush nuk zë rrënjë me prapësi, por rrënja e të drejtëve nuk lëviz. Një grua zonjë është kurorë për të shoqin, por gruaja që turpëron është kalbësirë për eshtrat e tij. Të drejtët mendojnë drejtësinë, të paudhët këshillojnë mashtrimin. Fjalët e të paudhëve janë pritë gjakatare, por të drejtët do t'i çlirojë goja e vet. Të paudhët bien e s'janë më, por shtëpia e të drejtëve qëndron. Njeriu lavdërohet sipas mençurisë së tij, por mendjeçarturit do të përbuzen. Më mirë i shpërfillur, por me shërbëtor, sesa i mburrur, por i pangrënë. I drejti kujdeset për bagëtitë e veta, por ndjenjat e të paudhëve janë mizore. Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë, kush rend pas kotësive është i pamend. Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish, rrënja e të drejtëve lulëzon. Buzët e përdala janë kurthi i të ligut, por i drejti do të shpëtojë nga ankthi. Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja, secili shpërblehet sipas veprave që bën.
Fjalët e urta 12:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla. Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija. Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë. Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij. Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi. Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t'i çlirojë. Të pabesët janë përmbysur dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të mbetet më këmbë. Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet. Është më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë. I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore. Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend. I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt. Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t'i shpëtojë fatkeqësisë. Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas veprës së duarve të tij.