Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 13:1-25

Fjalët e urta 13:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Biri i urtë e dëgjon mësimin e të atit, por përqeshësi nuk e dëgjon qortimin. Njeriu ushqehet me të mira falë asaj që thotë, por shpirti i mashtruesve ndryn dhunë. Kush këqyr gojën e vet, ruan jetën e vet, kush i shkyç buzët, mbi të bie rrënimi. Përtaci dëshiron, por gjë s'fiton, ndërsa zelltarëve u rritet jeta. I drejti e urren fjalën e rreme, i paudhi përlyen e turpëron. Drejtësia ruan sjelljen e përkryer, të paudhin e rrënon mëkati. Dikush shtiret i pasur e s'ka asgjë, dikush shtiret i varfër e ka shumë pasuri. Pasuria është shpagim për jetën e njeriut, por i varfri as që dëgjon kërcënim. Drita e të drejtëve sjell gëzim, por të paudhëve u shteron llamba. Mendjemadhësia sjell vetëm grindje, por me ata që këshillohen është urtia. Pasuria e mbledhur shpejt e shpejt mpaket, por kush mbledh ngadalë, e shumon. Një shpresë e tejzgjatur e ligështon zemrën, por një dëshirë e përmbushur është pemë jete. Kush e përbuz fjalën, ndëshkon veten, kush e druan urdhërimin, do të shpërblehet. Mësimi i të urtit është burim jete për të shmangur leqet e vdekjes. Mirëkuptimi merr përkrahje; mashtruesit janë të paepur. Çdo i ftilluar vepron me zgjuarsi, por i pamendi rrezaton marrëzi. Lajmëtarin e paudhë e zë e keqja, por lajmësi besnik sjell shërim. Skamje e turp për kë shpërfill rregullin, por kush e zbaton qortimin, do të nderohet. Një dëshirë e plotësuar e lumturon njeriun, por të marrët as që duan të heqin dorë nga e keqja. Rri me të urtët e do të bëhesh i urtë, por kush rri me të marrët do ta pësojë. Mëkatarët i përndjek e keqja, ndërsa të drejtët do të shpërblehen me të mira. Njeriu i mirë u lë trashëgimi nipërve, por prona e mëkatarëve ruhet për të drejtin. Shumë ushqim ka në arat e skamnorëve, por ja që përlahet me padrejtësi. Kush e kursen shkopin, e urren të birin, por kush e do atë, nxiton ta qortojë. I drejti ha derisa ngihet, por të paudhëve s'u mbushet barku.

Fjalët e urta 13:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin. Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë. Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit. Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht. I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet. Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin. Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri. Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfri nuk ndjen asnjë kërcënim. Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet. Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave. Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t'i shtohet ajo. Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës. Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet. Mësimet e të urtit janë burim jete për t'i evituar dikujt leqet e vdekjes. Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm. Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij. Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim. Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet. Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja. Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq. E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën. Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin. Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie. Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë. I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.