Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 16:1-33

Fjalët e urta 16:1-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Shestimet e zemrës i takojnë njeriut, por përgjigjja vjen nga ZOTI. Njeriut i duken të pastra të gjitha sjelljet e veta, por është ZOTI ai që peshon shpirtrat. Paraqitja ZOTIT veprat e tua dhe shestimet e tua do të zënë vend. ZOTI e ka bërë gjithçka me një qëllim, deri edhe të paudhin për ditën e mbrapshtë. ZOTIT i neveritet mendjemadhi, vërtet nuk do të mbesë pa u ndëshkuar. Me mirësi e besnikëri shlyhet faji e me drojën e ZOTIT shmanget e keqja. Kur ZOTIT i pëlqen sjellja e një njeriu, pajton me të edhe armiqtë e tij. Më mirë pak e me të drejtë, sesa shumë e pa të drejtë. Njeriu e sheston udhën e vet, por hapat ia drejton ZOTI. Kumti hyjnor është në buzët e mbretit, goja e tij nuk do të gabojë në gjykim. Masa dhe peshoret e drejta i përkasin ZOTIT, të gjithë gurët e peshores janë vepër e tij. Veprat e mbrapshta u neveriten mbretërve, se froni i ka themelet në drejtësi. Buzët e drejtësisë e gëzojnë mbretin, ai e do kë flet me drejtësi. Zemërimi i mbretit është lajmëtar i vdekjes, kush e zbut, është njeri i urtë. Kur ndrin fytyra e mbretit, ka jetë, përkrahja e tij është si reja e shiut pranveror. Sa mirë kur njeriu fiton urtinë e jo arin, se duhet zgjedhur mençuria në vend të argjendit. Udha e të drejtëve shmang të keqen, kush sillet me kujdes, ruan jetën e vet. Krenaria i prin rrënimit dhe shpirti i sertë sjell rënien. Më mirë të përulesh me të përulurit, se të ndash prenë me krenarët. Kush i mendon mirë gjërat, gjen të mirën, kush beson në ZOTIN, është i lum. Njeriu i urtë do të quhet i mençur, të folurit ëmbël e shton mësimin. Kush ka urti, ka burimin e jetës, ndëshkimi i të marrëve është marrëzia. Mendja e të urtit e mençuron gojën, ua shton mësimin buzëve të tij. Thëniet e këndshme janë hoje mjalti, ëmbëlsi për shpirtin e shërim për eshtrat. Ka udhë që duket e drejtë, por në fund shpie në vdekje. Punëtorin e bën uria të punojë, e nxit goja e vet. Njeriu i pavlerë gatit ligësi, në buzët e tij një zjarr përvëlues. Njeriu mashtrues mbjell grindje, kush shpif përçan miqtë. Njeriu i dhunshëm e ngashënjen të afërtin e udha ku e shpie nuk është e mirë. Kush shkel syrin, synon mashtrimin, kur rrudh buzët, e ka bërë ligësinë. Flokët e thinjur janë kurorë e ndritshme, ajo gjendet në udhën e drejtësisë. Më mirë i durueshëm, se i fortë, më mirë të sundosh veten, se të pushtosh një qytet. Shorti hidhet në prehër, por vendimi vjen prej ZOTIT.

Fjalët e urta 16:1-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti. Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët. Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen. Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë. Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar. Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja. Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të. Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi. Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij. Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë. Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij. Është një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë. Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt. Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë. Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit. Është më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mençuri se sa argjend. Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikëqyr rrugën e tij. Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët. Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur. I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë. Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve. Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij. Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat. Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes. Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit. Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur. Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë. Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë. Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen. Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë. Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet. Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.