Fjalët e urta 17:1-28
Fjalët e urta 17:1-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Më mirë një kafshatë e thatë me qetësi, se një shtëpi plot gosti e grindje. Shërbëtori i mençur e sundon birin që turpëron, ai do të marrë trashëgiminë ndër vëllezër. Për argjendin është shkritorja e për arin furra, por zemrat i sprovon ZOTI. Keqbërësi u vë mend fjalëve të mbrapshta, gënjeshtari i vë vesh gjuhës rrënimtare. Kush tallet me skamnorin, fyen krijuesin e tij, kush gëzohet me kobin nuk mbetet pa ndëshkuar. Kurora e pleqve janë bijtë e bijve, nderi i bijve janë prindërit e tyre. Të pamendit s'i shkon e folmja e zgjedhur e aq më pak të fismit gjuha gënjeshtare. Dhurata është gur fati për të zotin, ngado që të shkojë, përparon. Kush e harron fajin, kërkon miqësi, kush e ritregon, e përçan mikun. Një qortim zë vend te një i mençur më shumë se njëqind të rrahura te një i marrë. I ligu kërkon vetëm grindje, ndaj do t'i dërgohet një lajmës mizor. Më mirë të hasësh arushën që i kanë rrëmbyer të vegjlit, sesa të marrin në çartjen e tij. Atij që e kthen të mirën me të keqe, e keqja s'do t'i hiqet nga shtëpia. Fillimi i grindjes është si e çara që hap uji, lëre zënkën para se të shpërthejë. Shfajësimi i të paudhit e dënimi i të drejtit, të dyja këto i neveriten ZOTIT. Ç'duhen paratë në dorën e të marrit? Për të blerë urtinë kur nuk ka mend? Miku është i dashur në çdo kohë; vëllai ka lindur për kohë të vështirë. Është i pamend kush shtrëngon dorën e hyn dorëzanë te i afërti i vet. Kush do grindjen, do mëkatin; kush e mban veten për derë të madhe, kërkon rrënimin. Kush është zemërlig, nuk do të gjejë mirë; kush është gjuhëgjarpër, do ta zërë e keqja. Kush lind një të marrë, e lind për të zezë të vet; i ati i të shkalluarit nuk do të gëzojë. Zemra e hareshme balsam për shëndetin, shpirti i këputur than eshtrat. I paudhi merr dhurata nën dorë për të dredhuar shtigjet e drejtësisë. Njeriu i mençur e mban parasysh urtinë, por sytë e të marrit enden nëpër skajet e tokës. Një djalë i marrë është brengë për të atin e hidhërim për gruan që e lindi. Nuk është mirë të gjobitësh të drejtin apo të ndëshkosh të fismin kur është në të drejtë. Kush flet pak, di shumë, kush sundon veten, është i mençur. Po të heshtte, edhe i marri do të dukej i urtë, i mprehtë, po të mbante gojën.
Fjalët e urta 17:1-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Është më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje. Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit. Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti. Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur. Ai që përqesh të varfrin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre. Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare, Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del. Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë. Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai. Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrejë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor. Është më mirë të takosh një arushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij. E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen. Të fillosh një grindje është sikur t'u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet. Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin. Ç'duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare? Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira. Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij. Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim. Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe. Atij që i lind një budalla do t'i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim. Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat. I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë. Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut. Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur. Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre. Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur. Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar.