Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 2:1-22

Fjalët e urta 2:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Biri im, nëse i mirëpret fjalët e mia dhe ruan brenda teje urdhërimet e mia, duke i vënë vesh urtisë e duke e prirë zemrën drejt mençurisë, nëse do t'i thërrasësh mendjes e do t'i bësh zë mençurisë, nëse e kërkon atë si argjendin dhe e gjurmon si thesarin, atëherë do të kuptosh drojën e ZOTIT e do të gjesh dijen e Perëndisë, se ZOTI dhuron urtinë e prej gojës së tij del dija e mençuria. Ai i jep mbrothësi të drejtit, është mburojë për të ndershmin, mbron shtigjet e drejtësisë e bën rojë mbi udhën e besëtarëve të vet. Atëherë do të kuptosh drejtësinë e gjykimin, çiltërsinë e çdo udhë të mbarë. Do të të hyjë në zemër dija e njohja do të ta kënaqë shpirtin. Përsiatja do të të ruajë e mençuria do të të mbrojë, për të të shpëtuar nga udha e keqe, nga njerëzit që flasin prapësi, nga ata që lënë shtigjet e drejta për të ecur udhëve të errëta, që kënaqen me të keqen e ngazëllehen me prapësi të liga. Shtigjet e tyre janë të shtrembra, udhët e tyre me dredha. Kështu do të shpëtosh nga gruaja e huaj, nga e panjohura që të flet ëmbël, që braktis të dashurin e rinisë dhe harron besëlidhjen me Perëndinë e saj. Shtëpia e saj shpie drejt vdekjes e udhët e saj drejt hijeve. Ata që shkojnë me të as nuk kthehen më, as nuk gjejnë më shtegun e jetës. Prandaj, ti ec udhës së mbarë e mbaj shtigjet e të drejtëve, se të drejtët do ta banojnë tokën e të përsosurit do të mbeten në të. Të paudhët do të zhbihen nga faqja e dheut e të pabesët do të çrrënjosen».

Fjalët e urta 2:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë. Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja. Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij. Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës. Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë, për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija, nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ, që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndiejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq, shtigjet e të cilit janë të shtrembra dhe rrugët dredha-dredha, për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese, që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë. Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve. Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës. Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve. Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.