Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 8:1-36

Fjalët e urta 8:1-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

A nuk thërret vallë urtia? Po mençuria, a nuk e ngre zërin? Majë lartësive, përgjatë rrugës, në udhëkryqe, aty ajo zë vend. Pranë dyerve të hapura të qytezave, te hyrja e portaleve, aty ajo bëzan: «Ju, o njerëz, ju po ju thërras e zëri im u flet bijve të njerëzve. Kuptojeni, o të pamësuar, zgjuarsinë, e ju, o të marrë, thirrini mendjes. Dëgjoni, se do të them fjalë fisnikërie, çfarë del nga buzët e mia është drejtësi, se goja ime thotë të vërtetën e buzëve të mia u pështiret ligësia. Fjalët e gojës sime janë krejt të drejta e nuk gjendet në to dredhi a prapësi. Të drejta ato janë për kë arsyeton, të çiltra për atë që ka arritur njohjen. Kapuni pas parimit tim e jo pas parasë, se duhet zgjedhur njohja e jo ari. Urtia vlen më shumë se gurët e çmuar, është e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi. Unë, urtia, zotëroj zgjuarsinë, kam njohjen e jam e arsyeshme. Kush druan ZOTIN, e urren të keqen. Unë urrej krenarinë e mendjemadhësinë, udhët e këqija e gojën e ligë. Mua më përket këshillimi e mençuria, i imi është kuptimi, e imja forca. Falë meje mbretërit mbretërojnë e sunduesit ushtrojnë drejtësinë. Falë meje princat sundojnë e fisnikët mbarë gjykojnë me drejtësi. Unë i dua ata që më duan, e ata që më kërkojnë, më gjejnë. Me mua janë pasuria e nderi, të mirat e përhershme dhe drejtësia. Fryti im është më i mirë se ari, më i mirë se ar i kulluar. Më mirë begatia ime, se argjendi i zgjedhur. Unë eci udhës së drejtësisë, përmes shtigjeve të së drejtës, për t'i bërë, ata që më duan, trashëgimtarë të të mirave, e për të mbushur thesaret e tyre. ZOTI më bëri fillimin e udhës së tij, pikënisjen e veprave të tij qëkur. Qëmoti kam qenë caktuar, që në krye të herës, para se toka të zinte fill. Kur ende s'kishte humnera, unë isha lindur. Kur s'kishte ende gurra me ujë të bollshëm, para se të ngriheshin malet e para se të ishin kodrat, unë isha lindur. Ende nuk e kishte krijuar tokën, as fushat, as të parin pluhur të botës. Kur i nguliti qiejt, unë isha aty. Kur skajoi humnerën, kur i ngjeshi retë atje lart, kur i forcoi gurrat e humbëtirës, kur u vuri cakun detit e ujërave, që të mos vërshojnë, kur hodhi themelet e tokës, unë isha pranë tij si kryemjeshtër. Isha ditë për ditë gëzimi i tij, dëfrehesha para tij përherë, duke luajtur me rruzullin e tokës e duke u ngazëlluar me bijtë e njerëzve. Prandaj, bijtë e mi, dëgjomëni: lum ata që ndjekin udhët e mia! Dëgjojeni porosinë, bëhuni të urtë e mos e shpërfillni. Lum njeriu që më dëgjon mua, që vëzhgon përditë dyert e mia e pret te pragjet e hyrjeve të mia. Kush më gjen mua, gjen jetën e fiton përkrahjen e ZOTIT, por kush mëkaton ndaj meje, lëndon veten. Të gjithë ata që më urrejnë mua, duan vdekjen».

Fjalët e urta 8:1-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet? Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve; bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve; "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut. Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë. Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta. Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia. Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur. Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen. Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur, sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të. Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim. Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur. Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca. Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë. Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës. Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë. Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia. Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur. Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë, për t'i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre. Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta. U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte. Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm. Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave, kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut. Kur ai fiksonte qiejt, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës, kur i bënte të qëndrueshëm qiejt e epërm, kur përforconte burimet e humnerës, kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhrit të tij, kur vendoste themelet e dheut, unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij; kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve. Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia! Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë! Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia. Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit. Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".