Psalmet 119:97-112
Psalmet 119:97-112 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Sa e du ligjënë tande! Gjithë ditën’ e shkoj ndër mend. Më bane ma të mençim se anëmiqt’ e mi, me anë t’urdhënimevet tu, se janë përherë bashkë me mu. Jam ma i mençim se gjith’ ata qi më mësojënë, se shkoj ndër mend deshmimet’ e tu. Jam ma i mençim se pleqtë, se ruita porosit’ e tua. Ndala kambët’ e mia prei çdo udhë të keqe, për me ruitunë fjalënë tande. Nukë dola jashtë prei gjyqesh tu, se ti më mësove. Sa të ambëla janë fjalët’ e tua ndë gurmast t’em! Ma tepërë se mialta ndë gojët t’eme. Prei porosivet tua u bana i mençim, përandai mora mëni çdo udhë të shtrembëtë. Fjala jote ashtë kandile ndër kambët të mia, ende dritë nd’udhët të mia. Bana be, ende do të qindroj me ruitunë gjyqet’ e dreitënisë s’ate. Hoqa keq fort; o Zot, ep-më frymë të gjallë mbas fjalësë s‘ate. Prit pra dhunëtiat’ e gojësë s’eme, o Zot, qi t’i bie me dashunim, ende mëso-më gjyqet’ e tu. E kam shpirtinë kur-do n’dorë, po s’harrova ligjënë tande. Të pabesëtë më ngrefnë kurth, po unë nukë dola jashtë porosivet tua. Trashigova deshmimet’ e tu për gjithë jetënë, se këto janë gëzim’ i zemrësë s’eme. Ula zemrënë t’eme për me bam’ urdhënimet’ e tu përherë ngjer ndë fund.
Psalmet 119:97-112 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sa shumë e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e përsiat! Urdhërimi yt më bën më të urtë se armiqtë, se është përherë me mua. Jam më i ditur se të gjithë mësuesit e mi, sepse dëshmitë e tua janë përsiatja ime. Jam më i mençur edhe se pleqtë, sepse mbaj porositë e tua. I kam shmangur këmbët nga çdo udhë e keqe, që të ruaj fjalën tënde. Prej vendimeve të tua nuk jam shmangur, sepse më ke mësuar ti. Sa të ëmbla fjalët e tua për qiellzën time, më të ëmbla se mjalti në gojën time! Prej porosive të tua bëhem më i mençur, prandaj e urrej çdo udhë të gënjeshtërt. Fjala jote është llambë për këmbën time, dritë për shtegun tim. Jam betuar e fjalën do ta mbaj: vendimet e tua të drejta do t'i ruaj. Jam munduar së tepërmi, o ZOT, jepmë jetë sipas fjalës sate! Pranoji, o ZOT, zotimet e gojës sime dhe mësomë vendimet e tua. Jeta ime është përherë në rrezik, por ligjin tënd nuk e harroj. Të paudhët më kanë ngritur kurth, por nuk u jam shmangur porosive të tua. Dëshmitë e tua janë trashëgimia ime përjetë, se ato janë gëzimi i zemrës sime. E kam vendosur në zemrën time, që rregullat e tua t'i zbatoj përjetë, deri në fund.
Psalmet 119:97-112 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua. Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde. Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar. Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time. Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti. Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim. Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta. Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate. O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua. Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd. Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga urdhërimet e tua. Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime. Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.