Psalmet 143:1-12
Psalmet 143:1-12 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
O Zot, ndigjo të falunitë t’em, mba-i vesh të lutunit t’em, përgjeq-m’u mbas së vërtetësë s’ate, edhe mbas dreitënisë s’ate. Edhe mos hynë ndë gjyq bashkë me shërbëtorinë tand, se asnji i gjallë s’ka me dalë i dreitë përpara teje. Se anëmiku ndoqi shpirtinë t’em, përvuni jetënë t’eme përdhe, më vuni me ndenjunë ndë vende t’errëtë, si të vdekunitë gjithë monë. Përandai m’u zu fryma përmbrenda meje, zemëra eme m’u përzi. Kuitoj ditt’ e lashta, mendoj gjithë punët’ e tua, shkoj ndë mend të punuemet e duervet tua. Ndej duert’ e mia te ti, shpirti em qahet për tyi, porsi dheu i thatë. Selah. Shpeit ndigjo-më, o Zot, më zihetë fryma, mos këthe mbë-nj’-anë faqenë tande prei meje, qi të mos u shëmbëllej atyne qi sdripinë ndë gropë. Ban-më me ndigjuem përdëlliminë tand ndë mëngjest, se shpëreva mbë tyi; ban-më me ngjofun’ udhënë qi ashtë për të ecunë, se vara shpirtinë t’em te ti. Shpëto-më prei anëmiqvet mi, o Zot, te ti erdha me u mpshtetunë. Mëso-më me bamë dashuniminë tand, se ti je Perëndia em; fryma jote e mira le të më hieki ndë vend të dreitë. Për punë t’emënit t’yt, o Zot, ep-më frymë të gjallë; për dreitëninë tande nxir shpirtinë t’em prei ngushtimit Edhe për përdëlliminë tand prish anëmiqt’ e mi, edhe hup gjith’ ata qi shtrëngojënë shpirtinë t’em, se unë jam shërbëtori yt.
Psalmet 143:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
O ZOT, dëgjoje lutjen time, vëri vesh përgjërimit tim, ti që je besnik, përgjigjmu, ti që je i drejtë. Mos bëj gjyq me shërbëtorin tënd, se asnjë i gjallë nuk del i drejtë para teje. Po më ndjek pas armiku, jetën ma ka hedhur përdhe. Më ka dëbuar në skuta të errëta, porsi të vdekurit e kahershëm. Ndaj po më zihet fryma, përbrenda po më dridhet zemra. Më kujtohen ditët e qëmoçme, mendoj për gjithë veprat e tua, sjell ndër mend punët e duarve të tua. I kam shtrirë duart drejt teje, shpirti im ka etje për ty, si toka e thatë. selah Përgjigjmu shpejt, o ZOT, se mbeta pa frymë. Mos e fshih fytyrën prej meje, që të mos bëhem si ata që zbresin në varr. Shpallmë mirësinë tënde që në mëngjes, se te ti kam besim. Tregomë udhën ku duhet të eci, se drejt teje e lartësoj shpirtin tim. Shpëtomë nga armiqtë e mi, o ZOT, se te ti kam kërkuar strehë. Mësomë të bëj vullnetin tënd, se ti je Perëndia im. Shpirti yt i mirë do të më prijë në vend të sheshtë. Jepmë sërish jetë, o ZOT, për hir të emrit tënd, nxirrmë nga hidhërimi, ti që je i drejtë. Shfarosi armiqtë e mi, ti që je i mirë, shkatërroji të gjithë kundërshtarët e mi, se unë jam shërbëtori yt.
Psalmet 143:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde. Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje. Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë. Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim. Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua. I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela) Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë. Më bëj të ndiej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje. Më çliro nga armiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem. Më mëso si ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë. Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia. Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt.