Psalmet 37:1-40
Psalmet 37:1-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mos u zemëro nga keqbërësit, ata që bëjnë paudhësi mos i lakmo. Se ata do të thahen shpejt si bari, do të vyshken si barishtja e njomë. Beso në ZOTIN e bëj të mirën, bano në këtë tokë e shijo besnikërinë e tij. Gjeje kënaqësinë te ZOTI e ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate. Lëre udhën tënde në duart e ZOTIT, ki besim tek ai e ai do të veprojë. Drejtësinë tënde do ta bëjë të shndritë si drita, të drejtën tënde porsi mesdita. Hesht para ZOTIT e prite me durim, mos u zemëro me atë që i shkon mbarë, me njeriun që thur dredhi. Hiq dorë nga zemërimi e rri larg tërbimit, mos u zemëro, që të mos bësh të keqen. Se keqbërësit do të shfarosen, por ata që shpresojnë në ZOTIN do të trashëgojnë tokën. Edhe pak e i paudhi nuk do të jetë më. Do të shohësh për nga vendi i tij e nuk do të jetë më atje. Skamnorët do të trashëgojnë tokën e do të kënaqen me paqe të begatë. I paudhi ngre kurthe kundër të drejtit e kërcëllin dhëmbët kundër tij. Por Zoti do të qeshë me të, se e sheh që po i vjen dita. Të paudhët vringëllojnë shpatën e harkun ndehin, për të plandosur të mjerin e nevojtarin, për të shfarosur ata që ecin udhës së drejtë. Shpata do t'u hyjë në zemrën e vet, harqet e tyre do të thyhen. Më mirë ajo pak që ka i drejti, sesa pasuria e shumë të paudhëve. Krahët e të paudhëve do të thyhen, ndërsa të drejtët i përkrah ZOTI. ZOTI i njeh mirë ditët e të ndershmëve, trashëgimia e tyre do të mbetet përherë. Ata nuk do të turpërohen në kohë fatkeqësie, të nginjur do të jenë edhe në ditë urie. Por të paudhët do të marrin fund, armiqtë e ZOTIT do të vyshken si bukuria e lëndinës, si tymi do të fashiten. I paudhi merr hua e nuk e kthen, ndërsa i drejti tregon mëshirë e jep. Të bekuarit do të trashëgojnë tokën, të mallkuarit do të shfarosen. Se ZOTI i forcon hapat e njeriut, kur i pëlqen udha e tij. Po të rrëzohet, nuk do të dërrmohet, se ZOTI e mban për dore. Kam qenë i ri e tashmë jam plakur dhe s'e kam parë të drejtin të braktisur, as pasardhësit e tij të lypin për bukë. Gjithë ditën tregohet i mëshirshëm e jep hua, pasardhësit e tij do të jenë të bekuar. Kthehu prej së keqes, bëj të mirën dhe do të kesh një banesë të përjetshme. Se ZOTI e do drejtësinë dhe besnikët e vet nuk i braktis, por i ruan përjetë, ndërsa pasardhësit e të paudhëve do të shfarosen. Të drejtët do të trashëgojnë tokën e në të do të banojnë përherë. Goja e të drejtit ligjëron urti, gjuha e tij shpall gjykim të drejtë. Ligjin e Perëndisë së vet e ka në zemër, hapat e tij nuk do të lëkunden. I paudhi e përgjon të drejtin dhe kërkon ta vrasë. Por ZOTI nuk do ta lërë në duart e tij dhe, nëse e gjykojnë, s'do të lejojë ta dënojnë. Prite ZOTIN e mbaj udhën e tij. Ai do të të madhërojë, që të trashëgosh tokën, dhe ke për të parë shfarosjen e të paudhëve. E pashë të paudhin tek bëhej i furishëm, tek harlisej si pema tërë gjethe. Por ja që u shua e më nuk është, e kam kërkuar, por s'e kam gjetur dot. Vështroje të përkryerin e shihe të drejtin, njeriut të paqes i përket e ardhmja. Të gjithë ligjshkelësit do të shkatërrohen, të paudhët nuk do të kenë të ardhme. Shpëtimi i të drejtit vjen prej ZOTIT, ai është streha e tyre në kohë fatkeqësie. ZOTI i ndihmon e i çliron, ai i çliron nga të paudhët e i shpëton, se tek ai gjetën strehë.
Psalmet 37:1-40 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Mos u zemëro për punë të këqijvet, as mos ki zmir punëtorët’ e pa-udhënisë. Se kanë me u këputunë shpeit porsi barë, edhe kanë me u vyshkunë porsi barisht’ e ngjomë. Shpëre mbë Zotinë, edhe ban të mirënë, rri ndë dhet, edhe kullot të vërtetënë. Edhe prahu mbë Zotinë, edhe ka me të dhanë qish kërkon zemëra jote. Len’ udhënë tande mbë Zotinë, edhe shpëre mb’atë, edhe ai ka me ta bamë. Edhe ke me nxierrë dreitëninë tande porsi dritë, edhe gjyqinë tand porsi mies-ditë. Prahu mbë Zotinë, edhe prit-e me durim; mos u zemëro për atë qi vete mbarë nd’udhë të vet, për njeri qi punon pa-udhë. Pusho zemëriminë, edhe lenë mëninë; mos u zemëro, qi të bajsh keq. Se të këqijtë kanë me u bierrë, por ata qi presinë Zotinë, këta kanë me trashiguem dhenë. Sepse edhe pakëzë, edhe i pa-besi s’do të jetë ma, edhe ke me kërkuem vendin’ e ati, edhe s’ka me u gjindunë, por të butëtë kanë me trashiguem dhenë, edhe kanë me u kënaqunë, ndë shumë paqtim. I pa-besi shpif ndër mend punë kundrë të dreitit, edhe ngërcëllon dhambët’ e vet kundrë ati. Zoti ka me qeshunë me atë, sepse shef se po vien dita e ati. Të pa-besëtë hoqnë shpatënë, edhe ngrefnë harkun’ e vet, për me vumë poshtë të vobegun’ edhe të nevojëshiminë, për me therë udhë-dreitëtë. Shpata e atyne ka me hymë ndë zemërë t’atyne, edhe harqet’ e atyne kanë me u thyem. Ma e mirë asht’ e pakëta e të dreitit, se pasëja e shumë të pa-besëvet. Se krahat’ e të pabesëvet kanë me u thyem, por Zoti forcon të dreitëtë. Zoti ngjef ditt’ e faqe-bardhëvet, edhe trashigimi i atyne ka me qenunë për gjithë jetënë. S’kanë me u turpënuem ndë kohë të keqe, edhe kanë me u ngimë ndë ditt unie. Por të pa-besëtë kanë me u bierrë, edhe anëmiqt’ e Zotit kanë me u tretunë porsi dhiamët e qingjavet, kanë me u shpërdamë porsi tym. I pa-besi huahet’ e nuk’ ep prapë, por i dreiti përdëllen e ep. Se të bekuemit’ e ati kanë me trashiguem dhenë, por të mallëkuemit’ e ati kanë me u bierrë. Kur ndreqenë hapat’ e njeriut prei Zotit, ai pëlqen fort udhën’ e ati. Ndë raftë, s’ka me u dërrmuem, se Zoti e mba për dore. Qeshë i ri, edhe tashti u plakshë, edhe s’pashë ndonji të dreitë hequnë dorë prei ati, as farën’ e ati të lypi bukë. Gjithë ditënë përdëllen edhe huan, edhe fara e ati ashtë ndë bekim. Mërgohu prei së keqesë, edhe ban mirë, edhe ke me mbetunë ndë jetë të jetësë. Se Zoti do gjyq, edhe s’heq dorë prei të dreitëvet; për gjithë jetënë kanë me u rueitunë, por fara e të pa-besëvet ka me u bierrë. Të dreitëtë kanë me trashiguem dhenë, edhe kanë me ndenjunë nd’atë për gjithë jetënë. Goja e të dreitit ligjëron dituni, edhe gjuha e ati flet gjyq. Ligja e Perëndisë ati ashtë ndë zemërë t’ati, hapat’ e ati s’kanë me rrëshqitunë. Fajtori përgjon të dreitinë, edhe kërkon me e vramë. Zoti s’ka me e lanë ndë dorët t’ati, as s’ka me e dënuem, kur ta gjykojë. Prit Zotinë, edhe ruei udhën’ e ati, edhe ka me të naltuem, qi të trashigojsh dhenë; kur të birenë të pa-besëtë, ke me pamë. Pashë të pa-besinë naltuem tepërë, edhe shtrimë porsi larin’ e ngjomë, por shkoi, edhe qe te s’ashtë ma, edhe e kërkova, por s’u gjind. Shiko të pa-keqinë, edhe shif të dreitinë, se njeriu i paqtueshim ashtë lanë. Por ata qi dalinë jashtë udhësë kanë me u bierrë kreit, të lanët’ e të pabesëvet ka me u këputunë. Por shpëtim’ i të dreitvet ashtë prei Zotit, ai ashtë fuqia e atyne ndë kohë të shtrëngimit. Edhe Zoti ka me u ndimuem, edhe me i rueitunë, ka me i liruem prei të pabesëvet, edhe ka me i shpëtuem, sepse shpëryenë mb’atë.
Psalmet 37:1-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë. Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë. Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar. Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita. Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij. Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen. Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës. Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij. Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij. Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre. Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen. Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve. Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët. Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë. Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen. Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave. I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron. Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen. Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij. Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore. Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë. Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim. Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme. Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t'i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të. Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi. Ligji i Perëndisë së tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden. I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë. Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet. Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh. E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes, por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më. Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja. Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen. Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë. Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.