Zbulesa 21:1-5
Zbulesa 21:1-5 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj pashë një qiell të ri e një tokë të re. Qielli i parë dhe toka e parë ishin zhdukur dhe as deti nuk ishte më. Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj. Atëherë dëgjova një zë të lartë nga froni që tha: «Ja banesa e Perëndisë me njerëzit! Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë me ta dhe ai do të jetë Perëndia i tyre. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund». Ai që rrinte ulur në fron tha: «Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!». Pastaj më tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!».
Zbulesa 21:1-5 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ''Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan''. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ''Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja''. Dhe më tha: ''Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike''.