YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 2

2
Tradhtia e Izraelit
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Shko e bërtiti në veshë Jerusalemit. Kështu thotë Zoti:
më kujtohet përkushtimi i rinisë sate,
dashuria jote vajzërore,
kur rendje pas meje në shkretëtirë,
në tokë të pambjellë.
3I shenjtë ishte Izraeli për Zotin,
fryti i tij i parë.
Ata që e kafshonin binin në faj,
zezona i zinte, kumton Zoti.
4Dëgjojeni fjalën e Zotit, o shtëpia e Jakobit dhe të gjitha fiset e shtëpisë së Izraelit. 5Kështu thotë Zoti:
çfarë të mete gjetën tek unë etërit tuaj,
që u larguan prej meje,
rendën pas kotësisë
dhe u bënë të kotë?
6A nuk thanë: “Ku është Zoti,
që na solli nga dheu i Egjiptit,
që na priu në shkretëtirë,
në tokë djerr e plot gropa,
në tokë të thatë e të errët,
në dheun ku nuk kalon njeri
e ku askush nuk banon?”.
7Unë ju solla në tokë frutore,
që të hani frytet dhe begatitë e saj,
por ju hytë dhe e ndotët vendin tim,
e bëtë të neveritshme trashëgiminë time.
8Priftërinjtë nuk pyetën: “Ku është Zoti?”.
Shtjelluesit e ligjit nuk më njohën,
barinjtë ngritën krye kundër meje,
profetët profetizuan sipas Baalit
e rendën pas kotësive.
9Prandaj do të rragatem me ju, kumton Zoti,
edhe me bijtë e bijve tuaj do të rragatem.
10Shkoni, pra, në brigjet e Kitimit e shikoni,
dërgoni për të vërejtur hollë në Kedar
e shihni a kanë ndodhur gjëra të tilla atje.
11A i ka këmbyer ndonjë komb perënditë,
edhe pse ata s'janë perëndi?
Por populli im e ka këmbyer lavdinë e vet
me çfarë është e pavlerë.
12Hutohuni nga kjo gjë, o qiej,
tranduni e trishtohuni thellë, kumton Zoti.
13Se dy ligësi bëri populli im:
më braktisi mua,
gurrën e ujit të gjallë,
për të hapur për vete sterna,
sterna të shpuara,
që nuk mbajnë ujë.
14Mos është skllav Izraeli, skllav i lindur në shtëpi?
Përse u bë pre?
15Luanët ulërinë kundër tij
me zërin e tyre të lartë.
E shkretuan tokën e tij,
qytetet e tij u rrënuan e s'kanë më banorë.
16Edhe bijtë e Memfisit e Tahpanhesit
ta kanë rruar kokën.
17A nuk ia bëre vetes,
duke braktisur Zotin, Perëndinë tënd,
kur ai të priu udhës sate?
18Ç'ke që rend drejt Egjiptit
për të pirë ujin e Nilit?
Ç'ke që rend drejt Asirisë
për të pirë ujin e Eufratit?
19Ligësia jote do të të ndëshkojë,
pabesia jote do të të qortojë.
Merre vesh e shiko sa keq
e sa hidhur është për ty
të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd.
Nuk dridhesh më para meje, kumton Zoti, Zoti i ushtrive.
20Ja, qëmoti e kam copëtuar zgjedhën tënde
e i kam thyer vargonjtë e tu,
e ti the: “Nuk do të shërbej”,
prandaj mbi çdo kodër të lartë
e nën çdo pemë të harbuar
u shtrive porsi lavire.
21Të pata mbjellë si hardhi e zgjedhur,
prej farës së pastër.
Si m'u tjetërsove
e u bëre hardhi e egër?
22Edhe po të lahesh me finjë
e të fërkohesh me shumë sapun,
para syve e kam damkën e fajit tënd, kumton Zoti, Zoti im.
23Si mund të thuash: “Nuk jam përlyer,
nuk renda pas Baalëve”?
Shiko gjurmët ku ke ecur nëpër luginë,
prano çfarë ke bërë,
o deve e shkathët endacake,
24gomare e egër e mësuar me shkretëtirën,
që nuhat ajrin kur e kap afshi.
Kush mund ta ndalë epshin e saj?
Kushdo që e dëshiron, nuk mundohet,
por e gjen gjithmonë në muajin e vet.
25Ruaje këmbën, mos të mbetet zbathur
e fytin mos të mbetet etur.
Por ti the: “Jo, është e kotë,
se të huajt dashurova
e pas tyre do të rend”.
26Siç turpërohet vjedhësi kur kapet,
ashtu do të turpërohet shtëpia e Izraelit,
ata, mbretërit e tyre, prijësit,
priftërinjtë e profetët e tyre,
27që i thonë drurit: “Ti je im atë”
e gurit: “Ti më ke lindur”.
Më kanë kthyer kurrizin
e jo fytyrën,
por, kur i zë zezona, thonë:
“Ngrihu e shpëtona!”.
28Ku janë perënditë
që sajove për vete?
Le të ngrihen, nëse të shpëtojnë
në kohën e zezonës,
se, sa numri i qyteteve të tua
janë perënditë e tua, o Judë.
29Pse grindeni me mua?
Ju të gjithë ngritët krye kundër meje, kumton Zoti.
30Më kot i godita bijtë tuaj,
nuk e morën mësimin.
Profetët tuaj i përpiu shpata juaj,
si luani rrënimtar.
31Ju, o brezni, vëreni fjalën e Zotit.
Mos vallë isha shkretëtirë për Izraelin,
apo tokë e terratisur?
Përse thotë populli im:
“Do të endemi të lirë,
te ti më nuk do të kthehemi”?
32A i harron vashëza stolitë e veta,
apo nusja brezin nusëror?
Por populli im më ka harruar
prej shumë kohësh.
33Sa mirë e gjen udhën
për të lypur dashuri!
Deri edhe të përdalave
ua mësove udhët e tua.
34Në petkun tënd gjendet
gjaku i nevojtarëve të pafajshëm,
të cilët s'i kape duke thyer derën.
Me të gjitha këto,
35thua: “Jam, e pafaj,
prandaj iku prej meje zemërimi i tij”.
Ja, do t'ju hap gjyq,
sepse thatë: “Unë s'kam mëkatuar”.
36Sa shpërfillshëm ndërron udhë!
Edhe nga Egjipti do të mbulohesh me turp,
siç u mbulove me turp nga Asiria.
37Edhe që andej do të dalësh
duke mbajtur kokën me duar,
se Zoti i ka përzënë besnikët e tu
e ti nuk do të begatohesh falë tyre».

Currently Selected:

Jeremia 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

Video for Jeremia 2