YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 26

26
Jereminë e kërcënojnë me vdekje
1Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, Jeremisë iu drejtua kjo fjalë e Zotit e i tha: 2«Kështu thotë Zoti: qëndro në tremen e tempullit të Zotit e thuaju të gjitha qyteteve të Judës, që vijnë për të adhuruar në tempullin e Zotit, të gjitha fjalët që të urdhëroj t'u thuash dhe mos hiq asnjë fjalë. 3Ndoshta do të dëgjojnë dhe secili kthehet nga sjellja e vet e mbrapshtë. Edhe unë do të pendohem për të keqen që kisha menduar të bëja kundër tyre, për shkak të veprave të tyre të liga. 4Ti thuaju: “Kështu thotë Zoti: nëse nuk më dëgjoni e nuk ecni sipas ligjit tim, që e kam vënë para jush, 5e nuk i dëgjoni fjalët e profetëve, shërbëtorëve të mi, që jua kam dërguar pareshtur, por që ju nuk i keni dëgjuar, 6do ta bëj këtë tempull si Shilohun e këtë qytet do ta kthej në mallkim për të gjitha kombet e tokës”».
7Priftërinjtë, profetët e mbarë populli e dëgjuan Jereminë tek thoshte këto fjalë në tempullin e Zotit. 8Pasi Jeremia mbaroi së thëni gjithçka i kishte urdhëruar Zoti t'i thoshte mbarë popullit, priftërinjtë, profetët e mbarë populli e kapën e i thanë: «Do të vdesësh. 9Pse profetizove në emër të Zotit e the: “Ky tempull do të bëhet si Shilohu e ky qytet do të mbetet i shkretë e pa banorë”». Dhe mbarë populli u mblodh rreth Jeremisë, në tempullin e Zotit.
10Kur i dëgjuan këto gjëra, prijësit e Judës u ngjitën nga pallati mbretëror në tempullin e Zotit dhe u ulën te hyrja e Portës së Re të tempullit të Zotit. 11Atëherë priftërinjtë dhe profetët u thanë prijësve e mbarë popullit: «Ky njeri meriton gjykim me vdekje, sepse profetizoi kundër këtij qyteti, siç e dëgjuat me veshët tuaj».
12Por Jeremia iu drejtua të gjithë prijësve e mbarë popullit e tha: «Zoti më dërgoi të profetizoj kundër këtij tempulli e këtij qyteti të gjitha fjalët që keni dëgjuar. 13Prandaj, përmirësoni sjelljet dhe veprimet tuaja, dëgjojeni zërin e Zotit, Perëndisë suaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shpallur kundër jush. 14Ndërsa unë, ja ku jam në dorën tuaj. Bëni me mua ç't'ju duket e mirë dhe e drejtë, 15por dijeni mirë se, nëse doni të më vrisni, do të lyheni me gjak të pafajshëm ju e të gjithë banorët e këtij qyteti, se me të vërtetë Zoti më dërgoi te ju që të shpall në veshët tuaj të gjitha këto fjalë».
16Atëherë prijësit dhe mbarë populli u thanë priftërinjve e profetëve: «Ky njeri nuk meriton të dënohet me vdekje, sepse na foli në emër të Zotit, Perëndisë sonë». 17Atëherë disa prej pleqve të vendit u ngritën, iu drejtuan mbarë kuvendit të popullit e thanë: 18«Mikah Morashtiu, që profetizonte në kohën e Ezekisë, mbretit të Judës, i pati thënë mbarë popullit të Judës: “Kështu thotë Zoti i ushtrive:
Sioni do të plugohet si ara,
Jerusalemi do të kthehet në gërmadhë
e mali i tempullit në rrafshnaltë pyjore”.
19A e vranë atë Ezekia, mbreti i Judës, dhe mbarë Juda? A nuk e pati frikë Zotin, a nuk kërkoi dashamirësinë e Zotit dhe Zoti u pendua për të keqen që kishte shpallur kundër tyre? Por ne jemi duke përgatitur një kob të madh kundër vetes sonë».
20Edhe dikush tjetër profetizoi në emër të Zotit, Urjahu, biri i Shemajahut nga Kirjat Jearimi. Ai profetizoi kundër këtij qyteti e kundër kësaj toke me të njëjtat fjalë si të gjitha ato që foli Jeremia. 21Mbreti Jehojakim, të gjithë luftëtarët e tij dhe të gjithë prijësit i dëgjuan fjalët e tij, por mbreti deshi ta vriste. Atëherë Urjahu e mori vesh, pati frikë, mori arratinë dhe iku në Egjipt. 22Pastaj mbreti Jehojakim dërgoi njerëz në Egjipt, Elnatanin, birin e Akborit, e të tjerë me të, 23të cilët e nxorën Urjahun nga Egjipti dhe e sollën te mbreti Jehojakim që e vrau me shpatë dhe ia hodhi kufomën në gropën e njerëzve të zakonshëm.
24Por Ahikami, biri i Shafanit, e mbrojti Jereminë që të mos e linin në dorë të popullit, për ta vrarë.

Currently Selected:

Jeremia 26: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

Video for Jeremia 26