YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 7

7
Paralajmërimi i fatkeqësive
1Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: 2«Ndalu para portës së tempullit të Zotit dhe shpall aty këtë fjalë e thuaj: dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju judenj, që vini te kjo portë për të adhuruar Zotin. 3Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ndreqni sjelljen tuaj e veprat tuaja dhe do t'ju lejoj të banoni në këtë vend. 4Mos u zini besë fjalëve të rreme që thonë: “Ky është tempulli i Zotit, tempulli i Zotit, tempulli i Zotit”.
5Nëse me të vërtetë do të ndreqni sjelljen tuaj dhe veprimet tuaja, nëse do të zbatoni drejtësinë me njëri-tjetrin, 6nëse nuk do ta shtypni ardhacakun, jetimin e të venë, nëse nuk do të derdhni gjakun e pafajshëm në këtë vend e nëse nuk do të rendni pas perëndive të tjerë për të zezën tuaj, 7unë do t'ju lejoj të banoni në këtë vend, në tokën që u dhashë etërve tuaj nga amshimi në amshim.
8Por, ja, ju u zini besë fjalëve të rreme e të pavlera. 9Mos vallë doni të vidhni, të vritni, të shkelni kurorën, të betoheni në rrenë, t'i kushtoni temjan Baalit e të rendni pas perëndive të tjerë që nuk i njihnit? 10Pastaj vini e qëndroni para meje në këtë tempull, në të cilin thirret emri im, e thoni: “Jemi të lirë”, që të mund të bëni gjithë këto ndyrësira. 11Mos vallë ky tempull, në të cilin thirret emri im, u bë shpellë vjedhësish në sytë tuaj? Ja, e pashë vetë, kumton Zoti. 12Shkoni, pra, te vendi im në Shiloh, ku e vura emrin tim të banonte në fillim, dhe shikoni çfarë bëra me të, për shkak të ligësisë së popullit tim, Izraelit. 13Tani, për shkak të të gjitha këtyre bëmave, kumton Zoti, megjithëse fola me ju që në fillim, fola e nuk më dëgjuat, ju thirra e nuk m'u përgjigjët, 14do të veproj me këtë tempull, në të cilin thirret emri im e të cilit ju i zini besë, e me këtë vend, që jua kisha dhënë juve dhe etërve tuaj, siç veprova me Shilohun. 15Do t'ju dëboj nga prania ime, siç dëbova të gjithë vëllezërit tuaj, mbarë farën e Efraimit».
Perënditë e huaja
16«Por ti mos u lut për këtë popull, mos larto për të përgjërime e lutje dhe mos ndërhyj tek unë, se nuk do të të dëgjoj. 17A nuk e sheh çfarë po bëjnë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit? 18Bijtë mbledhin dru, etërit ndezin zjarrin dhe gratë përziejnë brumin, për t'i bërë kuleç mbretëreshës së qiellit. Pastaj u kushtojnë fli stërpikjeje perëndive të tjerë, për të më zemëruar mua. 19Mos vallë mua më fyejnë, kumton Zoti, apo veten, për turpin e vet? 20Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti im: ja, zemërimi im, tërbimi im zbrazet mbi këtë vend, mbi njerëzit e kafshët, mbi pemët e fushës e mbi frytet e tokës, e do të digjet pa u shuar.
21Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Shtojuni flive tuaja fli shkrumbimi e hani mish, 22se unë as u fola e as u dhashë urdhra etërve tuaj për flitë e shkrumbimit e për flijimet, kur i nxora nga Egjipti, 23por u dhashë këtë urdhër: dëgjojeni zërin tim e unë do të jem Perëndia juaj e ju do të jeni populli im. Ecni në të gjitha udhët që do t'ju urdhëroj, që t'ju shkojë mbarë. 24Por ata nuk dëgjuan e nuk morën vesh. Përkundrazi, ndoqën shestimet kryeneçe të zemrës së tyre të ligë, prandaj u kthyen pas e nuk përparuan. 25Qëkurse etërit tuaj dolën nga Egjipti e deri më sot, ju kam dërguar pareshtur shërbëtorët e mi, profetët, 26por ata nuk dëgjuan, as morën vesh. Përkundrazi, u bënë kryeneçë e vepruan më keq se etërit e tyre”.
27Do t'u thuash të gjitha këto fjalë, por ata nuk do të të dëgjojnë. Do t'i thërrasësh, por ata nuk do të të përgjigjen. 28Atëherë do t'u thuash: “Ky është kombi që nuk e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë së vet, dhe nuk e pranon qortimin. Besnikëria ka marrë fund, është zhdukur nga goja e tyre.
29Qethi flokët e hidhi tej,
vër kujën nëpër pllaja,
se Zoti e përzuri dhe e braktisi
brezninë që e zemëroi”.
30Se bijtë e Judës bënë çka është keq në sytë e mi, kumton Zoti. Ata vendosën ndyrësitë e veta në tempullin ku thirret emri im, për ta përdhosur. 31Ndërtuan faltoret në vende të larta për Tofetin, në luginën e Ben Hinomit, për të djegur në zjarr bijtë e bijat e veta, gjë që nuk u kisha urdhëruar e nuk më kishte shkuar nëpër mend. 32Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur nuk do të quhet më Tofet e as lugina e Ben Hinomit, por lugina e Thertores. Atëherë Tofeti do të përdoret si vendvarrim, se s'do të ketë vend tjetërkund. 33Kufomat e popullit do të jenë ushqim për zogjtë e qiellit e për kafshët e tokës dhe s'do të ketë kush t'i trembë. 34Në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit do ta shuaj zërin e haresë dhe zërin e galdimit, zërin e dhëndrit dhe zërin e nuses, sepse toka do të bëhet e shkretë».

Currently Selected:

Jeremia 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

Video for Jeremia 7