YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 24

24
1«Pse i gjithëpushtetshmi nuk e caktoi një kohë
dhe ata që e njohin ditët e tij s'i shohin?
2Të paudhët lëvizin kufijtë,
rrëmbejnë tufat e i kullotin.
3Jetimëve ua marrin gomarin,
të vesë kaun i marrin peng.
4Dëbojnë nga udha nevojtarët
e skamnorët e dheut bashkë fshihen prej tyre.
5Ja, si gomarët e egër në shkretëtirë
për punë dalin e kërkojnë ushqim
dhe djerrina ushqim u jep për fëmijë.
6Ndër ara ushqim mbledhin,
ia vjelin të paudhit vreshtin.
7Cullak e kalojnë natën, pa u veshur,
e në të ftohtë mbulojë nuk kanë.
8I lag shiu i malit
e shkëmbit i qepen për strehim.
9Të paudhët nga mëkimi ndajnë jetimët
e gjënë e skamnorit peng e marrin.
10Pa petka ecin zhveshur
e të uritur duajt mbartin.
11Në zagna vajin e shtrydhin,
shtrydhin rrush, por të etur mbeten.
12Rënkojnë nga qyteti të sëmurët për vdekje,
të plagosurit çirren e kërkojnë ndihmë,
por Perëndia nuk i dëgjon këto përçartje.
13Ata nuk e durojnë dritën,
s'i njohin rrugët e saj,
shtigjet e saj nuk i ndjekin.
14Me dritë ngrihet vrasësi,
skamnorin vret e mjeranin
e, kur bie nata, është porsi kusar.
15Syri i kurorëshkelësit përgjon në mugëtirë,
thotë: “Askush s'më sheh”
dhe mbulon fytyrën.
16Në errësirë shtëpitë dhunon,
por ditën brenda mbyllet, pa e njohur dritën.
17Për të gjithë ata mëngjesi është terrinë
e tmerret e saj mirë ata i njohin.
18Pa ujë ata ngelin,
nëmur është toka e tyre
e vreshtat askush s'ua sheh.
19Siç thajnë ujin e borës thatësira e vapa,
ashtu mëkatarin skëterra e përpin.
20I harron barku i nënës, por i shijojnë krimbat.
Nuk lënë pas kujtim,
se ligësia këputet, siç këputet pema.
21Ngacmojnë gruan beronjë
e të vesë s'ia bëjnë të mirën.
22Por Perëndia të fortët me forcë i mban,
ringrihen kur s'kanë më shpresë për jetë.
23U jep siguri e ata kanë mbështetje,
sytë hapur i mban mbi udhën e tyre.
24Lartohen një grimë e pastaj s'janë më,
fundosen e vyshken si të gjithë,
porsi kokrra e grurit thahen.
25Nëse s'është kështu, kush më përgënjeshtron
e fjalën poshtë ma hedh?».

Currently Selected:

Jobi 24: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in