Jozuehu 3
3
Kalimi i Jordanit
1Të nesërmen, Jozuehu u ngrit herët në mëngjes. Ai dhe të gjithë izraelitët lanë Shitimin e mbërritën në Jordan, ku fushuan derisa të kalonin lumin. 2Pas tri ditësh, eprorët kaluan përmes fushimit 3e i dhanë urdhër popullit: «Kur të shihni priftërinjtë e levitët të mbartin arkën e besëlidhjes së Zotit, Perëndisë suaj, ngrihuni e shkoni pas saj. 4Rrini një kilometër larg arkës. Mos u afroni më shumë. Udhën nga duhet të shkoni do ta kuptoni prej arkës, pasi asaj udhe nuk keni kaluar më parë». 5Jozuehu i tha popullit: «Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti do të bëjë mrekulli mes jush». 6Priftërinjve Jozuehu u tha: «Ngrijeni arkën e besëlidhjes dhe kaloni para popullit». Ata e ngritën arkën e besëlidhjes dhe ecën përpara popullit.
7 Zoti i tha Jozuehut: «Sot po filloj të të lartoj para syve të mbarë Izraelit, që ta dinë se unë jam me ty, ashtu siç isha edhe me Moisiun. 8Urdhëroi priftërinjtë, që mbartin arkën e besëlidhjes, që, kur të mbërrijnë tek ujërat e Jordanit, të hyjnë e të qëndrojnë brenda në lumë». 9Jozuehu u tha izraelitëve: «Afrohuni këtu e dëgjoni fjalët e Zotit, Perëndisë suaj». 10Dhe u tha: «Ja si do ta dini se Perëndia i gjallë është mes jush dhe se do të dëbojë para syve tuaj kananitët, hititët, hivitët, perizitët, girgashitët, amoritët dhe jebusitët: 11arka e besëlidhjes së Zotit të mbarë tokës do t'ju prijë përmes Jordanit. 12Zgjidhni, pra, dymbëdhjetë burra nga fiset e Izraelit, nga një për fis. 13Kur këmbët e priftërinjve, që mbartin arkën e Zotit, Zotit të mbarë tokës, të prekin ujërat e Jordanit, uji i lumit do të ndalet dhe rrjedha e ujit që zbret do të ngrihet lart si mur».
14Populli e la fushimin për të kaluar Jordanin. Përpara i prinin priftërinjtë që mbartnin arkën e besëlidhjes. 15Ishte koha e të korrave dhe Jordani ishte plot e përplot. Kur u afruan bartësit e arkës dhe priftërinjtë që mbartnin arkën hynë në breg të lumit, 16ujërat u ndalën dhe rrjedha e sipërme e ujit u ngrit si mur, që prej qytetit të Adamit, pranë Cartanit, ndërsa rrjedha e poshtme u derdh në detin e Kripur. Kështu, populli e kaloi Jordanin përballë Jerikosë. 17Priftërinjtë, që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, qëndruan në tokë të thatë në mes të Jordanit, derisa i gjithë populli i Izraelit kaloi në bregun tjetër të lumit, nëpër shtratin e thatë.
Currently Selected:
Jozuehu 3: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020