YouVersion Logo
Search Icon

Jozuehu 8

8
Pushtimi i Ajit
1 Zoti i tha Jozuehut: «Mos ki frikë e mos u tremb. Merr me vete të gjithë luftëtarët e shko të sulmosh Ajin. Ja, mbretin e Ajit po ta dorëzoj ty, me gjithë popullin, qytetin e tokën e tij. 2Vepro me Ajin e me mbretin e tij, siç veprove edhe me Jerikonë e me mbretin e saj, por prenë e luftës e bagëtitë merrini për vete. Ngrini pusi në anën e pasme qytetit».
3Atëherë Jozuehu e gjithë luftëtarët u bënë gati për të sulmuar Ajin. Jozuehu zgjodhi tridhjetë mijë burra të fortë dhe i nisi natën. 4U dha këtë urdhër: «Bëni kujdes e rrini në pusi në anën e pasme të qytetit, por mos u largoni shumë prej tij. Të jeni të gjithë gati. 5Ndërsa unë do t'i afrohem qytetit me të gjithë ata që do të jenë me mua. Kur të dalin banorët për të na sulmuar si herën e parë, ne do të marrim arratinë para tyre. 6Ata do të na ndjekin pas e kështu do të largohen nga qyteti, sepse do të mendojnë se po ia mbathim para tyre, ashtu si herën e parë. 7Atëherë ju do të dilni nga pusia e do të pushtoni qytetin. Qytetin do t'jua dorëzojë Zoti, Perëndia juaj. 8Kur ta pushtoni qytetin, do t'i vini flakën. Do të veproni sipas fjalës së Zotit. Ky është urdhri im». 9Jozuehu i nisi dhe ata shkuan e zunë pusi midis Betelit e Ajit, në krahun perëndimor të Ajit. Jozuehu e kaloi atë natë me popullin.
10Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe rreshtoi popullin. Ai dhe pleqtë e popullit dolën në krye. 11Të gjithë luftëtarët që ishin me Jozuehun iu afruan qytetit nga përpara dhe e ngritën fushimin në krahun verior të Ajit. Midis tyre e Ajit shtrihej një luginë. 12Pastaj Jozuehu zgjodhi rreth pesë mijë burra e i vuri në pusi midis Betelit e Ajit, në krahun perëndimor të qytetit. 13Populli e ngriti fushimin në veri të qytetit dhe prapavija shkonte deri në perëndim të tij. Jozuehu e kaloi natën në mes të luginës. 14Kur mbreti i Ajit pa izraelitët, u ngrit herët në mëngjes e doli me nxitim nga qyteti, bashkë me të gjithë burrat e qytetit, për të sulmuar Izraelin. Ata u vendosën përballë Arabahut, se mbreti nuk e dinte që i kishin ngritur pusi në anën e pasme të qytetit. 15Jozuehu dhe i gjithë Izraeli bënë sikur ishin mposhtur dhe morën arratinë në drejtim të shkretëtirës. 16Ishin thirrur të gjithë banorët e Ajit për t'i ndjekur nga pas. Kështu, ata ndoqën Jozuehun e u larguan nga qyteti. 17Në Aj e në Betel nuk mbeti njeri pa shkuar në ndjekje të izraelitëve. Teksa ndiqnin izraelitët, i lanë hapur portat e qytetit.
18Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Shtrije në drejtim të Ajit shtizën që ke në dorë, sepse po ta dorëzoj ty qytetin». Jozuehu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit. 19Me të shtrirë krahun Jozuehu, ata që kishin ngritur pusinë dolën shpejt nga vendi ku ishin, hynë në qytet, e pushtuan dhe i vunë flakën menjëherë. 20Kur burrat e qytetit të Ajit, që po ndiqnin izraelitët, kthyen kokën pas dhe panë tymin e qytetit të ngjitej në qiell, mbetën pa fuqi e nuk iknin dot as këtej, as andej. Atëherë izraelitët, që kishin marrë arratinë në drejtim të shkretëtirës, u kthyen për të sulmuar ata që po i ndiqnin. 21Kur Jozuehu e mbarë Izraeli panë se luftëtarët që kishin ngritur pusi e kishin marrë qytetin dhe se nga qyteti po dilte tym, u kthyen e sulmuan burrat e Ajit. 22Dolën edhe luftëtarët e tjerë nga qyteti për t'i sulmuar dhe banorët e Ajit u gjendën të rrethuar nga të dyja anët. Izraelitët i goditën derisa nuk mbeti më njeri gjallë. Nuk shpëtoi askush. 23Mbretin e Ajit e zunë të gjallë dhe ia sollën Jozuehut.
24Pasi izraelitët vranë e shfarosën me shpata të gjithë banorët e Ajit, që kishin dalë në shkretëtirë për t'i ndjekur nga pas, iu vërsulën qytetit dhe e sulmuan me shpata. 25Atë ditë u vranë të gjithë banorët e Ajit, dymbëdhjetë mijë burra e gra. 26Jozuehu nuk e uli krahun, që mbante shtizën, derisa u vranë të gjithë banorët e Ajit. 27Izraelitët morën për vete vetëm bagëtitë e plaçkën e qytetit, sipas urdhrit që i kishte dhënë Zoti Jozuehut. 28Atëherë Jozuehu e dogji Ajin dhe e ktheu përgjithnjë në gërmadhë, në një vend të shkretë, siç është edhe sot. 29Mbretin e Ajit e vari në një pemë dhe e la atje deri në mbrëmje. Kur po perëndonte dielli, Jozuehu dha urdhër ta zbrisnin kufomën prej pemës. Kufomën e hodhën në hyrje të portës së qytetit e mbi të lartuan një pirg të madh gurësh që gjendet aty edhe sot e kësaj dite.
Altari në malin Ebal
30Jozuehu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal. 31Altari u lartua me gurë të palatuar e të papunuar me vegla hekuri, siç i kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, izraelitët dhe siç është shkruar në librin e ligjit të Moisiut. Mbi altar, izraelitët i kushtuan Zotit fli shkrumbimi e paqtimi. 32Atje Jozuehu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit të Moisiut në prani të izraelitëve. 33Të gjithë izraelitët bashkë me pleqtë, me krerët e me gjykatësit e tyre, si dhe të huajt që jetonin me ta, qëndronin nga ana e arkës, ndërsa nga ana tjetër qëndronin priftërinjtë levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit. Gjysma qëndronte përballë malit Gerizim, ndërsa gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu siç kishte urdhëruar më parë Moisiu, shërbëtori i Zotit, të bekohej populli i Izraelit. 34Pastaj Jozuehu lexoi gjithë fjalët e ligjit, bekimet e mallkimet e tij, ashtu siç ishin shkruar në librin e ligjit. 35Jozuehu nuk la pa lexuar asgjë nga ato që kishte urdhëruar Moisiu, para bashkësisë së Izraelit, grave, fëmijëve e të huajve që jetonin mes izraelitëve.

Currently Selected:

Jozuehu 8: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in