YouVersion Logo
Search Icon

Fjalët e urta 23

23
1Kur të ulesh për të ngrënë me një prijës,
ki kujdes kë ke përballë.
2Vëri fre grykës,
nëse je hamës.
3Mos i dëshiro gjellët e tij,
se janë bukë e pabesë.
4Mos u lodh për pasuri,
por hiq dorë me mençuri.
5Ia hedh sytë, por s'është më,
se vë krahë si shqiponja
e fluturon në qiell.
6Mos ha bukën e të ligut
e mos i dëshiro gjellët e tij,
7se ai bën llogari me vete.
Të thotë: «Ha e pi!»,
por me zemër s'është me ty.
8Kafshatën që ke ngrënë do ta vjellësh
e fjalët e bukura do t'i shkosh dëm.
9Mos i fol në vesh të marrit,
se do ta përçmojë urtinë e mësimit tënd.
10Mos e lëviz kufirin e kahershëm
e mos hyr në arën e jetimit,
11se shpaguesi i tyre është i fortë
e do ta mbrojë çështjen e tyre ndaj teje.
12Ushtroje zemrën me parimin
e veshët me fjalët e dijes.
13Mos rri pa e qortuar të riun,
se nuk do të vdesë po t'i biesh me shkop.
14Bjeri me shkop,
se e shpëton nga skëterra.
15Biri im, nëse zemra jote do të jetë e urtë,
edhe zemra ime do të ngazëllejë.
16Do të më gëzohet shpirti,
kur buzët e tua të thonë të drejtën.
17Të mos i ketë zili zemra jote mëkatarët,
por jeto gjithmonë me drojën e Zotit,
18se do të kesh të ardhme
e nuk do të të pritet shpresa.
19Dëgjomë, o biri im, bëhu i urtë,
drejtoje zemrën tënde në udhën e drejtë.
20Mos u shoqëro me ata që dehen me verë,
me ata që s'ngopen së ngrëni mish,
21se pijaneci e grykësi do të skamen
e përgjumja do t'i veshë me zhele.
22Dëgjoje tët atë që të ka lindur,
mos e përçmo nënën në pleqëri.
23Blije e mos e shit të vërtetën,
urtinë, rregullin e kuptimin.
24Sa shumë gëzohet ati i të drejtit
e sa lumturohet ai që lind të urtin!
25Le të lumturohen ati yt e nëna jote,
le të gëzojë ajo që të lindi.
26Vëmë vesh, biri im,
e le të kënaqen sytë e tu me udhën time.
27Lavirja është gropë pa fund,
e huaja pus i ngushtë.
28Ajo rri në pritë si vjedhësi
dhe e shton numrin e burrave tradhtarë.
29Vaj kush, e mjerë për kë!
Për kë janë zënkat e ankimet?
Për kë janë plagët e kota dhe sytë e lëbyer?
30Për atë që jepet pas verës,
për ata që shijojnë pije të përziera.
31Mos e shiko verën si kuqëlon,
si përshkëndit në kupë
e rrjedh lëmuar,
32se në fund të kafshon si gjarpri
e të pickon si nepërka.
33Sytë e tu do të shohin çudira
e zemra jote do të thotë prapësi.
34Do të jesh si ai që fle në mes të detit,
si ai që rri shtrirë majë direkut.
35«Më kanë goditur, por s'më dhemb,
më kanë rrahur, por s'di gjë.
Po kur të zgjohem? Prapë do të më pihet».

Currently Selected:

Fjalët e urta 23: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in