YouVersion Logo
Search Icon

Siraku 38

38
Për mjekët
1Nderoje mjekun,
për punën e duarve të tij nderoje,
se edhe atë e ka krijuar Zoti.
2Ndonëse shërimi vjen prej të Tejlartit,
merr dhurata edhe prej mbretit.
3Njohuritë e bëjnë mjekun ballëlartë,
edhe të mëdhenjtë i mahnit.
4Zoti krijoi barnat nga toka,
njeriu i matur nuk i urren.
5A nuk e ëmbëlson druri ujin,
që t'i njihet forca?
6Edhe ai u dha njerëzve dijen,
që ta lavdërojnë me mrekullitë e tij.
7Me to shëron e heq vuajtjen,
barnatori bën me to përzierjet.
8Por nuk kanë të sosur veprat e tij,
prej tij vjen paqja në faqen e dheut.
9Bir, kur të sëmuresh, mos u shkujdes,
por lutju Zotit e ai të shëron.
10Lëri gabimet e vepro drejt,
pastroje zemrën nga çdo mëkat.
11Kushto temjan e majë mielli përkujtimore,
vajose sa të mundesh kushtimin tënd.
12Jepi vendin e vet mjekut, se e ka krijuar Zoti,
mos e dëbo, se të duhet.
13Vjen një kohë kur shërimi varet prej tyre.
14Edhe ata i luten Zotit t'i qetësojë,
t'i shërojë e t'i mëkëmbë.
15Kush mëkaton kundër krijuesit të tij,
i rëntë në dorë mjekut.
16Bir, derdh lot mbi të vdekurin
e nisja vajit si njeriu që vuan.
Mbështillja trupin siç i ka hije
e mos ia lër pas dore varrin.
17Qaj me hidhërim e vajto përmallshëm,
mbaj zi siç e kërkon nderi,
një ditë a dy, për gojët e liga,
pastaj ngushëllohu e lëre trishtimin.
18Nga trishtimi vjen vdekja,
trishtimi i zemrës mek fuqinë.
19Në mjerim mbetet edhe trishtimi,
jeta e të varfrit është zemërndrydhëse.
20Mos e lër zemrën në trishtim,
dëboje e kujtohu se ka një fund.
21Mos harro se nuk ka kthim pas,
atyre s'u bën dobi e ty të bën dëm.
22Kujto fatin tim, se është edhe i yti.
Dje ishte i tiji, por sot është i yti.
23Kur të prehet i vdekuri, le të prehet edhe kujtimin i tij,
gjej ngushëllim pasi të ketë dhënë shpirt.
Zejet
24Dija e mësuesit varet nga mundësia për të nxënë,
kush ka pak punë bëhet i urtë.
25Si të bëhet i ditur ai që mban plugun
e krenohet se mban hostenin?
Ai nget qetë, merret me punën e tyre
e flet vetëm për viça.
26E ka mendjen të hapë hulli,
e prish gjumin për tagjinë e mëzetërve.
27Njësoj edhe çdo zejtar e kryezejtar
që ditë e natë punon.
Gdhendësi i vulave
i bën të larmishme me durim,
përpiqet me gjithë zemër për të përshkruar jetën,
prish gjumin për ta përfunduar punën.
28Edhe farkëtari ulet pranë kudhrës,
i përqendruar te punimi i hekurit.
Afshi i zjarrit ia shkrin mishin,
e mundon vapa e furrës.
Zhurma e çekanit ia shurdhon veshët,
sytë i mban te gjedhja.
Jepet me gjithë zemër për ta kryer zejen,
prish gjumin për ta zbukuruar përsosurisht.
29Njësoj edhe poçari, ulur në punë,
tek rrotullon rrotën me këmbë.
E ka mendjen gjithmonë te punimi
e punimet i ka të panumërta.
30I jep trajtë baltës me krahun e vet
dhe e lakon me këmbë.
Përpiqet me zemër t'i përsosë lëmimin,
prish gjumin të pastrojë furrën.
31Këta varen të gjithë nga duart e veta,
secili bëhet i ditur për punën e vet.
32Pa këta nuk ndërtohet qyteti,
askush nuk banon e as shëtit në të.
33Por ata nuk hulumtojnë për këshilla për popullin,
e nuk shquhen në bashkësi,
nuk ulen në fronin e gjykatësit
e nuk e kuptojnë marrëveshjen e drejtësisë.
34Nuk tregojnë as dije, as gjykim
e nuk gjejnë thënie,
por botën e krijuar e mbajnë fort,
ushtrimi i zejes është lutja e tyre.

Currently Selected:

Siraku 38: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in