YouVersion Logo
Search Icon

Siraku 39

39
I urti
1Ndryshe kush kushtohet me shpirt
për të përsiatur ligjin e të Tejlartit.
Ai hulumton urtinë e të gjithë të lashtëve
e nxë profecitë.
2Mban mend thëniet e njerëzve me emër,
hyn në hollësitë e shëmbëlltyrave.
3Heton të fshehtat e fjalëve të urta,
hyn e del te të panjohurat e shëmbëlltyrave.
4E kryen shërbimin mes të mëdhenjve
e paraqitet para princave.
Shkon ndër kombe të huaja
e sprovon mirësitë e ligësitë e njerëzve.
5Zgjohet herët me gjithë zemër
për Zotin që e krijoi,
për t'u lutur para të Tejlartit.
Hap gojën për t'u lutur,
kërkon ndjesë për mëkatet e veta.
6Po të dojë Zoti i madh,
ai mbushet me shpirtin e kuptimit,
nxjerr si burim fjalët e dijes së vet
dhe, në lutje, falënderon Zotin.
7Ai ka këshillë e dituri të drejtë
dhe përsiat të fshehtat e veta.
8E shfaq dijen që ka mësuar,
mburret me ligjin e besëlidhjes së Zotit.
9Shumë e lavdërojnë mençurinë e tij,
ajo nuk harrohet kurrë,
kujtimi i tij nuk humbet
emri i tij jeton brez pas brezi.
10Kombet e tregojnë urtinë e tij,
lavdinë e tij e shpall bashkësia.
11Nëse jeton gjatë,
lë emër më të madh se një mijë vetë,
edhe po të prehet, i mjafton.
Lavd për Zotin
12Tek përsias, dëshiroj të shprehem,
jam i mbushur si hëna e plotë.
13Dëgjomëni, o bij të shenjtë e çelni,
si trëndafili ndanë vijës së ujit.
14Përhapni erë të mirë si temjani,
çelni sytha si lilaku.
Lëshoni erë e këndoni këngë,
bekoni Zotin për çdo vepër.
15Madhërojeni emrin e tij,
falënderojeni me himne,
me këngë në buzë e me harpa.
Falënderojeni e thoni:
16«Veprat e Zotit janë të gjitha të mira,
çdo urdhër i tij plotësohet në kohë».
Mos thoni: «Çfarë është kjo? Pse ajo?».
Gjithçka duhet hetuar në kohën e vet.
17Me një fjalë të tij ujërat u bënë pirg,
me një fjalë nga goja e tij, pellgjet me ujë.
18Me një urdhër të tij plotësohet çdo dëshirë,
askush s'e ndal shpëtimin e tij.
19Para tij janë veprat e çdo gjallese,
asgjë s'u fshihet syve të tij.
20Ai shikon nga amshimi në amshim,
asgjë s'i duket e habitshme.
21Mos thoni: «Çfarë është kjo? Pse ajo?».
Gjithçka është krijuar sipas nevojës.
22Bekimi i tij e mbulon thatësirën si lumë,
e ngop si përmbytja.
23Njësoj u bie kombeve furia e tij,
si atëherë që ktheu ujin në kripë.
24Për të përshpirtshmit i ka udhët të drejta,
por plot me gropa për të paudhët.
25Mirësitë janë krijuar për të mirët që në fillim,
por mëkatarëve u duken të këqija.
26Nevojat themelore për jetën e njeriut:
uji, zjarri, hekuri e kripa,
mielli i drithit, qumështi e mjalti,
gjaku i hardhisë, vaji e veshjet.
27Të gjithë këto janë të mira për besimtarët,
por mëkatarëve u duken të këqija.
28Ka erëra që janë krijuar për hakmarrje
e në furinë e tyre e shtojnë fshikullimin.
Në ditën e fundit e zbrazin fuqinë
e fashisin zemërimin e krijuesit të tyre.
29Zjarri e breshri, zia e bukës e vdekja
janë krijuar të gjitha për hakmarrje.
30Dhëmbët e egërsirave, akrepat, nepërkat
e shpata hakmarrëse janë për rrënimin e të pafeve.
31Kënaqen me urdhrin e tij,
janë të gatshme mbi dhe për çdo nevojë.
Kur t'u dalë rasti, nuk ia kthejnë fjalën.
32Prandaj që në fillim jam bindur,
e kam menduar dhe lënë me shkrim:
33të gjitha veprat e Zotit janë të mira,
ai plotëson çdo nevojë në kohën e vet.
34Mos thoni:
«Kjo është më keq se ajo!».
Çdo gjë është e mirë në kohën e vet.
35E tani këndoni me gjithë zemër e me gojë
dhe bekoje emrin e Zotit.

Currently Selected:

Siraku 39: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in