YouVersion Logo
Search Icon

Siraku 41

41
Vdekja dhe turpi
1O vdekje, sa i hidhur është kujtimi yt
për njeriun që ka gjetur paqe mes pasurive,
për njeriun pa shqetësime e tërë mbarësi,
që është në gjendje të shijojë ushqimin.
2O vdekje, sa me vend është vendimi yt
për njeriun nevojtar, që e ka lënë forca,
që e ka lodhur mosha e ka çdo shqetësim,
për të panënshtruarin që e ka humbur durimin.
3Mos iu tremb vendimit të vdekjes,
kujto të parët e të pasmit.
4Ky është vendimi i Zotit për çdo gjallesë,
pse ta kundërshtosh pëlqimin e të Tejlartit?
Dhjetë, njëqind apo një mijë vjet,
për jetën nuk ankohet askush në skëterrë.
5Fëmijë të padurueshëm fëmijët e mëkatarëve,
sillen nëpër lagjet e të pafeve.
6Trashëgimia e bijve të mëkatarëve merr fund,
pasardhësve të tyre u bie fatkeqësia.
7Një atë të pafe e qortojnë fëmijët,
se për shkakun e tij u bie fatkeqësia.
8Mjerë ju, të pafe,
që shkelni ligjin e Perëndisë së tejlartë!
9Edhe pse u lindët, për mallkim lindët,
edhe kur të vdisni, për mallkim vdisni.
10Gjithçka vjen nga toka, në tokë kthehet,
nga mallkimi në rrënim shkojnë edhe të pafetë.
11Njerëzit mbajnë zi për kufomat e tyre,
por mëkatarëve u zhduket emri jo i mirë.
12Kujdesu për emrin tënd, se mbetet pas teje
e vlen më shumë se një mijë thesare të mëdha.
13Ditët e jetës së mirë janë të numëruara,
por emri i mirë mbetet në amshim.
14Mbajeni mësimin në paqe, o bij,
urtia e fshehur e thesari i padukshëm,
çfarë duhen që të dyja?
15Më mirë njeriu që fsheh marrëzinë,
se njeriu që fsheh urtinë.
16Prandaj po ju them për çfarë duhet të turpëroheni,
se nuk është mirë të turpëroheni për çdo gjë
e jo të gjithë vlerësojnë gjithçka me vërtetësi.
17Turpërohu para atit e nënës për kurvërinë,
para princit e pushtetarit për gënjeshtrën,
18para gjykatësit e sundimtarit për shkeljet,
para bashkësisë e popullit për paudhësitë,
19para shokut e mikut për padrejtësinë,
para vendit ku banon për vjedhjen,
20para të vërtetës së Perëndisë e besëlidhjes
dhe kur i vë bërrylin bukës,
21kur jep e merr pa njerëzi,
kur hesht pasi të të përshëndesin,
22kur ia ngul sytë gruas së përdalë,
kur kthen kokën për të mos parë të afërtin,
23kur i rrëmben dikujt hisen e dhuratën,
kur shkon me gruan e tjetërkujt,
24kur ke punë me shërbëtoren
e i afrohesh shtratit të saj,
25kur shan para miqve
e jep duke sharë,
26kur përçon fjalët që ke dëgjuar,
kur zbulon fjalët e fshehura.
27Për këto turpërohuni vërtet
e do t'u pëlqeni të gjithë njerëzve.

Currently Selected:

Siraku 41: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in