YouVersion Logo
Search Icon

Urtia 12

12
Durimi i Perëndisë
1Shpirti yt i paprishshëm ndodhet në gjithçka.
2Shkelësit i qorton pak nga pak,
mëkatarëve u kujton mëkatet dhe i udhëzon,
që të çlirohen nga e keqja e të besojnë në ty, o Zot.
3Banorët e dikurshëm të tokës sate të shenjtë
4i urreve prej veprave të ndyra,
prej magjive e riteve të pëgëra.
5Thernin fëmijët pa mëshirë,
hanin zorrë, mish e gjak njerëzish,
me rite idhujtare.
6Këta prindër që vrisnin shpirtra të pambrojtur
deshe t'i shkatërroje me dorën e etërve tanë,
7që ajo tokë, më e çmuara prej teje,
të priste bijtë e Perëndisë.
8Por edhe këta i kurseve, se ishin njerëz,
u dërgove grerëzat si pararendëse të ushtrisë sate,
që t'i shfarosnin ngadalë.
9S'e kishe të pamundur t'i lije të pafetë
në dorën e të drejtëve në betejë,
t'i thyeje me anë të bishave
apo me një fjalë tënden.
10I gjykove ngadalë, u dhe kohë të pendohen,
pa harruar se ishin brezni e ligë.
Të keqen e kishin në gjak,
e kurrë nuk ndërronin mendje.
11Farë e mallkuar që prej fillimit.
Por ti s'pate frikë prej askujt
që i le pa ndëshkuar mëkatet e tyre.
12Kush mund të thotë: «Çfarë bëre?».
Kush mund ta kundërshtojë gjykimin tënd?
Kush mund të të fajësojë për shkatërrimin e kombeve
që ti vetë krijove?
Kush guxon të të padisë,
se ti mbron të padrejtët?
13S'ka tjetër perëndi veç teje që kujdeset për gjithçka,
që t'i provosh se gjykove padrejtësisht,
14as mbret, as sundimtar,
s'të ndal t'i ndëshkosh.
15I drejtë je e me drejtësi rregullon gjithçka.
Nuk e përdor pushtetin
për të ndëshkuar atë që s'e meriton.
16Fuqia jote është fillimi i drejtësisë,
ti zotëron gjithçka, prandaj ruan gjithçka.
17Fuqinë e tregon kur dyshojnë se është e përsosur,
përmbys kryeneçësinë e atyre që e njohin.
18Ti e zotëron fuqinë, por gjykon me butësi.
Me kujdes na udhëheq,
se mund të veprosh kur të dëshirosh.
19E mësove popullin me këto vepra;
i drejti duhet të jetë njeridashës.
U dhe bijve të tu shpresën
se pas mëkatit mund të pendohen.
20Armiqtë e shërbëtorëve të tu e meritonin vdekjen,
por ti i ndëshkove me përmbajtje e butësi,
u dhe kohë e mundësi të çliroheshin nga e keqja.
21Edhe më butësisht i gjykove bijtë e tu,
etërve të tyre u premtove çdo të mirë.
22Ne na qorton, por armiqtë tanë
dhjetë mijë herë më shumë i fshikullon,
që të kujtojmë mirësinë tënde kur gjykojmë,
e në mirësinë tënde të shpresojmë kur të na gjykojnë.
23Edhe ata që jetuan pa mend e padrejtësisht,
i mundove me fëlligështitë e veta.
24Në udhët e mashtrimit gjatë u mashtruan,
bënë perëndi nga kafshët më të pështira,
e u mashtruan si foshnja pa mend.
25Prandaj, ashtu si foshnjave pa mend,
u dërgove qortimin, për t'i përqeshur.
26Kush nuk vuri mend nga qortimi
meritoi gjykimin e Perëndisë.
27Zemëroheshin e vuanin nga po ato kafshë,
që më parë i mbanin për perëndi.
Panë dhe njohën si Perëndi të vërtetë atë që kishin mohuar,
mbi ta erdhi ndëshkimi i fundmë.

Currently Selected:

Urtia 12: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in