YouVersion Logo
Search Icon

Urtia 2

2
Veprat e të paudhëve
1Thonë me vete dhe pandehin gabimisht:
«E shkurtër dhe e mërzitshme është jeta jonë,
nuk ka shërim kur njeriut i vjen fundi,
nuk dihet të jetë kthyer kush nga skëterra.
2Se u lindëm krejt rastësisht
e pas kësaj është si të mos kishim qenë.
Tym është fryma në hundën tonë
e arsyeja shkëndijë në rrahjen e zemrës sonë.
3Kur shuhet, trupi kthehet në hi
e fryma shpërndahet si ajër i rralluar.
4Emri ynë harrohet me kohën,
askush s'do t'i kujtojë veprat tona.
Si gjurmët e resë kalon jeta jonë,
si mjegulla shpërndahet,
dëbuar nga rrezet e diellit
rënduar nga vapa e tij.
5Si hije kalimtare është koha jonë,
fundi ynë është pa kthim,
se është i vulosur e askush nuk kthehet!
6Ejani, pra, t'i shijojmë begatitë,
ta shfrytëzojmë me fund krijimin, si në rini,
7të ngihemi me verë të çmuar e erëza,
të mos na shpëtojë asnjë lule pranvere,
8të kurorëzohemi me gonxhe trëndafilash
para se të vyshken.
9Askush të mos mbetet pa hisen e shfrenimit,
gjithkund të lëmë shenjat e gazmimit tonë,
se kjo është pjesa jonë e shorti ynë.
10Ta shtypim skamnorin e drejtë,
të mos e kursejmë vejushën e
nga thinjat e të moshuarit të mos stepemi.
11Ligji i drejtësisë të jetë fuqia jonë,
të gjykohet e kotë gjithçka e dobët.
12T'i zëmë pritë të drejtit, se na bëhet barrë,
del kundër punëve tona,
na qorton për mëkatet kundër ligjit,
na përmend shkeljet ndaj mësimit.
13Ai thotë se e njeh Perëndinë,
e quan veten fëmijë të Zotit.
14Na është bërë qortimi i mendimeve,
na vjen rëndë edhe ta shohim.
15Se jeta e tij s'është si e të tjerëve,
tjetërsoj janë shtigjet e tij.
16I dukemi si monedhë e rreme,
udhëve tona u rri larg, si papastërtive,
e quan të lum fundin e të drejtëve,
mburret se ka atë Perëndinë.
17Le të shohim në janë të vërteta fjalët e tij,
le të shohim ç'fund do të ketë.
18Në qoftë i drejti bir i Perëndisë, ai do të kujdeset për të
dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve.
19Le ta vëmë në provë me fyerje e mundime,
të mësojmë deri ku i arrin butësia,
t'ia vëmë në provë zemërgjerësinë.
20Le ta dënojmë me vdekje të shëmtuar
e t'i vijë mbrojtja prej fjalëve të tij».
21Kështu menduan, por u gabuan,
i verboi ligësia e tyre,
22nuk i mësuan të fshehtat e Perëndisë,
nuk shpresuan te shpërblimi që fiton shenjtëria,
as u shkoi mendja te shpërblimi që fitojnë shpirtrat e panjollë.
23Se Perëndia e krijoi njeriun prej mosprishjes,
e bëri si shëmbëllesë të amshimit të vet.
24Por prej smirës së djallit në botë erdhi vdekja,
dhe e provojnë ata që i përkasin.

Currently Selected:

Urtia 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in