YouVersion Logo
Search Icon

Urtia 6

6
Në kërkim të urtisë
1Dëgjoni, pra, o mbretër, e kuptoni,
mësoni, o gjykatës, në skajet e dheut!
2Mbani vesh ju që qeverisni turmat
e që mburreni mbi shumë popuj,
3se prej Zotit ju është dhënë pushteti
dhe sundimin e keni prej të Tejlartit,
ai i heton veprat tuaja dhe i shqyrton shestimet.
4Ndonëse shërbëtorë të mbretërisë së tij,
nuk gjykuat drejt,
as e mbajtët ligjin,
as ecët sipas këshillës së Perëndisë.
5Frikshëm dhe shpejt do të vijë mbi ju,
gjykimi do të vijë befas mbi ata që sundojnë.
6I vogli do të falet me mëshirë,
por të fuqishmit do të gjykohen ashpër.
7Sunduesi i gjithësisë s'do të tërhiqet para askujt,
as do të turpërohet nga të madhërishmit,
sepse ai krijoi të madh e të vogël,
njësoj kujdeset për të gjithë,
8por për të pushtetshmin,
të fortë do ta ketë gjykimin.
9Për ju, o mbretër, ja fjala ime,
që të mësoni urtinë e të mos bini në paudhësi.
10Ata që i ruajnë të shenjtat me besnikëri, do të shenjtërohen,
ata që ua mësojnë të tjerëve do të gjejnë mbrojtje.
11Pra, dëshirojini fjalët e mia,
kini etje për to e do të bëheni të ditur.
12E shndritshme dhe e pavyshkur është urtia,
e pikasin lehtë ata që e dashurojnë,
kush e kërkon, e gjen,
13u del vetë para atyre që e dëshirojnë.
14Kush çohet herët për ta kërkuar, nuk do të lodhet,
te porta e vet do ta gjejë ndenjur.
15Ta përsiatësh urtinë është mençuri e përsosur,
kush rri zgjuar për të, shpejt s'do të ketë më kokëçarje.
16Se ajo del e kërkon të denjët për të,
u shfaqet atyre dashamirësisht nëpër shtigje,
në çdo mendim puqet me ta.
17Fillimi i urtisë është dëshira e vërtetë për të mësuar,
përkushtim për të mësuar, dashuri.
18Dashuri do të thotë të ruash ligjet e urtisë,
ruajtja e ligjeve është moskalbje e vërtetë,
19moskalbja të afron me Perëndinë.
20Pra, dëshira për urtinë të çon te mbretëria.
21Nëse shijoni fronet dhe skeptrat, o sundues të popujve,
nderojeni urtinë, që të mbretëroni në jetë të jetëve.
22Ç'është urtia dhe si është krijuar, këtë do t'ju tregoj
e s'do t'ju mbaj të fshehta,
por që nga fillimi i krijimit do ta gjurmoj
e do t'ua bëj të ditur,
pa shpërfillur të vërtetën.
23As do të eci me atë që është sëmurë nga lakmia,
sepse i tillë njeri nuk ka pjesë me urtinë.
24Të urtët e shumtë janë shpëtim për botën
e mbreti i mençur i sjell qetësi popullit.
25Prandaj, mësoni prej fjalëve të mia
e do të përfitoni.

Currently Selected:

Urtia 6: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in