YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 74

74
1O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë përgjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?
2Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.
3Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.
4Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.
5Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dendur të një pylli.
6Dhe tani me sqeparë dhe çekanë po prishin tërë skulpturat e tij.
7I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.
8Kanë thënë në zemër të tyre: "T'i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.
9Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.
10Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?
11Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.
12Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.
13Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshave të detit në ujërat.
14Copëtove kokat e Leviathanit dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.
15Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.
16Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.
17Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.
18Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.
19Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.
20Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.
21Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.
22Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.
23Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.

Currently Selected:

Psalmet 74: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

Video for Psalmet 74