Luka 22
22
Vendimi për ta kapur
(Mt 26.1-5, 14-16; Mk 14.1-2, 10-11; Gjn 11.45-53)
1Ndërkaq po afrohej festa e Bukëve të ndorme që quhet Pashkë. 2Kryepriftërinjtë dhe shkruesit po kërkonin sesi ta vrisnin Jezuin, por kishin frikë nga populli. 3Atëherë Satani hyri te Juda që quhej Iskariot e që ishte njëri prej të dymbëdhjetëve. 4Ky shkoi për t'u marrë vesh me kryepriftërinjtë dhe rojat sesi mund t'ua dorëzonte Jezuin. 5Ata u gëzuan shumë e ranë në një mendje për t'i dhënë para. 6Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t'ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma.
Përgatitja e Darkës së Pashkës
(Mt 26.17-25; Mk 14.12-21; Gjn 13.21-30)
7Kur erdhi dita e festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, 8Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin e u tha: «Shkoni e bëni përgatitjet që të hamë Pashkën». 9Ata e pyetën: «Ku dëshiron ta përgatisim?». 10Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai 11e i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. 12Në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën».
13Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën.
Darka e Zotit
(Mt 26.26-30; Mk 14.22-26; 1Ko 11.23-25)
14Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me apostujt. 15Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj, 16sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë».
17Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit e tha: «Merreni e ndajeni këtë mes jush. 18Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë».
19Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim».
20Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën e tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju. 21Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë. 22Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton». 23Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre do ta bënte këtë gjë.
Kush është më i madhi
24Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi. 25Por Jezui u tha: «Mbretërit e kombeve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës. 26Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi ndër ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori. 27Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.
28Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia 29dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im, 30që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit».
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35; Mk 14.27-31; Gjn 13.36-38)
31«Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t'ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin, 32por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu». 33Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg e në vdekje». 34Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh».
Para, trastë dhe shpatë
35Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë e pa sandale, a ju mungoi gjë?». Ata i thanë: «Asgjë». 36Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t'i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë gunën e vet e të blejë një shpatë. 37Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet çka është shkruar: u radhit me të paudhët. Se çfarë është thënë për mua po përmbushet». 38Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata». Ai u përgjigj: «Është mjaft».
Lutja në malin e Ullinjve
(Mt 26.36-46; Mk 14.32-42)
39Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. 40Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». 41Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut 42kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». 43Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. 44Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë#22.43-44 dorëshk. të tjera nuk i përmbajnë rr. 43-44. 45Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. 46Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim».
Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56; Mk 14.43-50; Gjn 18.3-11)
47Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, 48por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». 49Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t'u biem me shpata?». 50Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, 51por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi.
52Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? 53Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.57-58, 69-75; Mk 14.53-54, 66-72; Gjn 18.12-18, 25-27)
54Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg. 55Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre. 56Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë e tha: «Edhe ky njeri ishte me të». 57Por Pjetri e mohoi e tha: «Grua, unë nuk e njoh atë». 58Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin e tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri». 59Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas». 60Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërsa ai po fliste, këndoi gjeli.
61Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». 62Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.
Tallja
(Mt 26.67-68; Mk 14.65)
63Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin. 64Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjeje#22.64 ose: Profetizo kush të goditi?». 65Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera.
Para sinedrit
(Mt 26.59-66; Mk 14.55-64; Gjn 18.19-24)
66Kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e çuan Jezuin në sinedrin e tyre 67e i thanë: «Nëse je Krishti, na e thuaj».
Por Jezui u tha: «Po t'jua them, nuk do të më besoni, 68dhe po t'ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, 69por që tani Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm». 70Atëherë të gjithë thanë: «A je ti, pra, Biri i Perëndisë?». Dhe Jezui u tha: «Ju po e thoni. Unë jam». 71Dhe ata thanë: «Për çfarë dëshmie tjetër kemi nevojë? E dëgjuam vetë nga goja e tij».
S'ha seleccionat:
Luka 22: AL1
Subratllat
Comparteix
Copia
Vols que els teus subratllats es desin a tots els teus dispositius? Registra't o inicia sessió
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020