Gjoni 19
19
1Atëherë Pilati urdhëroi të merrej Jezui e të rrihej me fshikull. 2Ushtarët thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Pastaj e veshën me një petk të purpurt, 3i afroheshin, e godisnin me shuplaka e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!».
4Pilati doli përsëri jashtë e u tha judenjve: «Ja, po jua sjell jashtë, që të shihni se nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». 5Jezui doli jashtë me kurorën e gjembave në kokë dhe i veshur me petkun e purpurt. Pilati u tha: «Ja njeriu!». 6Kur e panë, kryepriftërinjtë dhe rojat thirrën: «Kryqëzoje! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Merreni ju e kryqëzojeni, se unë nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». 7Judenjtë u përgjigjën: «Ne kemi një ligj dhe sipas tij ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë».
8Kur dëgjoi këto fjalë, Pilati u frikësua më shumë, 9hyri përsëri në pretorium dhe e pyeti Jezuin: «Nga je ti?». Jezui nuk i dha asnjë përgjigje. 10Atëherë Pilati i tha: «Mua nuk më flet? A nuk e di ti se unë kam pushtet të të liroj dhe kam pushtet të të kryqëzoj?». 11Jezui u përgjigj: «Ti nuk do të kishe asnjë pushtet mbi mua, po të mos të të ishte dhënë nga lart. Prandaj ai që më dorëzoi te ti, ka mëkat edhe më të madh».
12Që nga ai çast Pilati kërkonte ta lironte Jezuin, por judenjtë thërrisnin: «Po e lirove këtë, nuk je më mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit!». 13Pilati, kur dëgjoi këto fjalë, e solli Jezuin jashtë dhe u ul në fronin e gjykatësit, në vendin që quhej «Rruga e Gurtë», në hebraisht «Gabbatha».
14Ishte e premte, dita e përgatitjes së Pashkës, rreth orës dymbëdhjetë të drekës.
Pilati u tha judenjve: «Ja mbreti juaj!». 15Por ata thirrën: «Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Mbretin tuaj të kryqëzoj?». Kryepriftërinjtë iu përgjigjën: «Ne nuk kemi mbret tjetër, përveç Cezarit». 16Pastaj Pilati ua dorëzoi që të kryqëzohej.
Kryqëzimi
(Mt 27.32-44; Mk 15.21-32; Lk 23.26-43)
Kështu, ata e morën Jezuin. 17Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur «Kafka» që në hebraisht quhet «Golgota». 18Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin mes të tyre.
19Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve». 20Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, se vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht e greqisht. 21Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj: “Mbreti i judenjve”, por shkruaj: “Ky ka thënë: jam mbreti i judenjve”». 22Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova».
23Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte e paqepur, e gjitha e endur nga lart deri poshtë. 24Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t'i takojë». Kjo, që të përmbushej Shkrimi që thotë:
i ndanë rrobat e mia mes tyre
dhe hodhën short për petkun tim.
Dhe ushtarët kështu bënë.
25Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. 26Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». 27Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij.
Vdekja
(Mt 27.45-56; Mk 15.33-41; Lk 23.44-49)
28Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi, tha: «Kam etje!». 29Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. 30Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt.
E shpojnë me heshtë
31Meqë ishte e premte judenjtë nuk donin që trupat të liheshin në kryq të shtunën se ajo e shtunë ishte ditë e madhe, prandaj i kërkuan Pilatit t'u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve e t'i zbrisnin. 32Atëherë erdhën ushtarët e i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin. 33Kur erdhën te Jezui dhe panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak e ujë. 35Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni. 36Këto gjëra ndodhën që të përmbushet Shkrimi: nuk do t'i thyhet asnjë eshtër 37si dhe Shkrimi tjetër që thotë: do të shikojnë atë që shpuan me heshtë.
Varrimi
(Mt 27.57-61; Mk 15.42-47; Lk 23.50-56)
38Pas këtyre, Jozefi nga Arimateja, që ishte fshehtas dishepull i Jezuit nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jezuit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin. 39Erdhi edhe Nikodemi, ai që dikur kishte shkuar natën te Jezui, dhe solli rreth tridhjetë litra përzierje mirre dhe aloeje. 40Ata e morën trupin e Jezuit, e mbështollën me pëlhura dhe e lyen me vajra erëmirë, siç e kanë zakon judenjtë kur varrosin dikë. 41Në vendin ku u kryqëzua Jezui ndodhej një kopsht dhe brenda në kopsht ishte një varr i ri në të cilin ende nuk kishin varrosur njeri. 42Aty e varrosën Jezuin, meqenëse ishte e premtja para festës së judenjve dhe varri ishte afër.
လက်ရှိရွေးချယ်ထားမှု
Gjoni 19: AL
အရောင်မှတ်ချက်
မျှဝေရန်
ကူးယူ
မိမိစက်ကိရိယာအားလုံးတွင် မိမိအရောင်ချယ်သောအရာများကို သိမ်းဆည်းထားလိုပါသလား။ စာရင်းသွင်းပါ (သို့) အကောင့်ဝင်လိုက်ပါ
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020