YouVersion လိုဂို
ရှာရန် အိုင်ကွန်

Gjoni 8

8
1Jezui shkoi në malin e Ullinjve. 2Në të gdhirë, u kthye përsëri në tempull dhe i gjithë populli shkonte pranë tij. Ai u ul e mësonte njerëzit.
3Atëherë shkruesit dhe farisenjtë i çuan një grua që ishte kapur duke bërë tradhti bashkëshortore dhe, pasi e vunë në mes, 4i thanë: «Mësues, kjo grua u kap duke bërë tradhti bashkëshortore. 5Në ligj Moisiu na ka urdhëruar t'i vrasim me gurë gra të tilla. Po ti, ç'thua?». 6Këtë e thanë për ta zënë në kurth, që të kishin për çfarë ta padisnin, por Jezui u ul e filloi të shkruante me gisht në tokë. 7Meqenëse ata po vazhdonin ta pyesnin, ai u ngrit e tha: «Kush është pa mëkat ndër ju le të hedhë i pari gurin mbi të!». 8Pastaj u ul përsëri e shkruante në tokë.
9Kur e dëgjuan këtë,#8.9 dorëshk. të tjera edhe: të bindur nga ndërgjegjja ata u larguan njëri pas tjetrit duke filluar nga më të moshuarit. Mbeti vetëm Jezui me gruan që qëndronte në mes. 10Jezui u ngrit e i tha: «Grua, ku janë paditësit e tu? Askush nuk të dënoi?». 11Ajo u përgjigj: «Askush, zotëri». Jezui i tha: «Atëherë as unë nuk po të dënoj. Shko e mos mëkato më që tani e tutje!».
Drita e botës
12Atëherë Jezui foli përsëri me ta e u tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës». 13Farisenjtë i thanë: «Ti po dëshmon për veten. Dëshmia jote nuk është e vërtetë». 14Jezui u përgjigj: «Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij e as ku po shkoj. 15Ju gjykoni sipas dobësisë njerëzore, ndërsa unë nuk gjykoj askënd. 16Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi. 17Në ligj shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë. 18Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua». 19Ata i thanë: «Ku është Ati yt?». Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim».
20Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha.
Udha e Jezuit drejt lartësimit
21Jezui u tha përsëri farisenjve: «Unë po shkoj e ju do të më kërkoni, por do të vdisni në mëkatin tuaj. Ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë». 22Judenjtë thoshin: «Mos do të vrasë veten kur thotë “ju nuk mund të vini ku po shkoj unë”?». 23Ai u tha: «Ju jeni prej këtu poshtë, unë jam prej së larti. Ju jeni nga kjo botë, unë nuk jam nga kjo botë. 24Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja. Nëse nuk besoni se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja». 25Ata i thanë: «Kush je ti?». Jezui u përgjigj: «Që në fillim jua kam thënë se kush jam. 26Kam shumë për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe unë i them botës ato që dëgjova prej tij». 27Ata nuk e kuptuan se po u fliste për Atin.
28Atëherë Jezui u tha: «Kur ta keni lartësuar Birin e njeriut, atëherë do ta kuptoni se unë jam dhe se nuk bëj asgjë nga vetja, por flas si më mësoi Ati. 29Ai që më dërgoi është me mua e nuk më ka lënë vetëm, sepse unë bëj gjithnjë çfarë i pëlqen atij».
30Shumë njerëz besuan në Jezuin kur e dëgjuan të fliste kështu.
E vërteta të bën të lirë
31Jezui u tha judenjve që besuan në të: «Nëse qëndroni në fjalën time, do të jeni me të vërtetë dishepujt e mi, 32do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë». 33Ata iu përgjigjën: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt. Si mund të thuash: “Do të bëheni të lirë”?». 34Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se kushdo që mëkaton është skllav i mëkatit. 35Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa biri rri gjithmonë. 36Nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.
37E di se jeni pasardhës të Abrahamit, por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. 38Unë them ato që kam parë pranë Atit tim, ndërsa ju bëni ato që keni dëgjuar nga ati juaj».
Bij të Abrahamit apo të djallit?
39Ata i thanë: «Ati ynë është Abrahami». Jezui u tha: «Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e tij. 40Tani kërkoni të më vrisni mua, njeriun që ju kam thënë të vërtetën që dëgjova nga Perëndia. Abrahami nuk e bëri këtë. 41Ju bëni veprat e atit tuaj».
Atëherë judenjtë i thanë: «Ne nuk kemi lindur nga kurvëria. Ne kemi një Atë të vetëm, Perëndinë». 42Jezui u tha: «Po të ishte Perëndia Ati juaj, do të më donit edhe mua, sepse unë dola nga Perëndia dhe kam ardhur prej tij. Nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai më dërgoi. 43Përse nuk i kuptoni këto që ju them? Sepse nuk mund ta dëgjoni fjalën time. 44Ati juaj është djalli e ju doni të bëni vullnetin e atit tuaj. Ai ishte njeri-vrasës që nga fillimi e nuk qëndroi tek e vërteta, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës. 45Ndërsa mua që them të vërtetën, nuk më besoni.
46Kush nga ju mund ta vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni? 47Kush është prej Perëndisë, dëgjon fjalët e Perëndisë. Ju prandaj nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë».
Jezui dhe Abrahami
48Judenjtë i thanë Jezuit: «A nuk e kemi mirë kur themi se je samaritan e ke djallin?». 49Jezui u përgjigj: «Unë nuk kam djallin, por nderoj Atin tim, ndërsa ju më poshtëroni. 50Unë nuk kërkoj lavdinë time. Ka se kush e kërkon e se kush gjykon. 51Me të vërtetë po ju them se kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shohë vdekjen kurrë».
52Atëherë judenjtë i thanë: «Tani e dimë se ke djallin. Abrahami vdiq. Po ashtu edhe profetët, ndërsa ti thua: “Kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shijojë vdekjen kurrë”. 53A mos je ti më i madh se ati ynë, Abrahami, që ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur. Për kë e mban veten?». 54Jezui u përgjigj: «Nëse unë përlëvdoj veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Ati im, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj, është ai që më përlëvdon. 55Ju nuk e keni njohur, ndërsa unë e njoh. Po të them se nuk e njoh, do të jem gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij. 56Ati juaj, Abrahami, u ngazëllua që do të shikonte ditën time. E pa dhe u gëzua». 57Atëherë judenjtë i thanë: «Nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?». 58Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se, para se të kishte lindur Abrahami, Unë Jam». 59Ata morën gurë për t'i gjuajtur, por Jezui u fsheh e doli nga tempulli#8.59 dorëshk. të tjera edhe: duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua.

လက်ရှိရွေးချယ်ထားမှု

Gjoni 8: AL

အရောင်မှတ်ချက်

မျှဝေရန်

ကူးယူ

None

မိမိစက်ကိရိယာအားလုံးတွင် မိမိအရောင်ချယ်သောအရာများကို သိမ်းဆည်းထားလိုပါသလား။ စာရင်းသွင်းပါ (သို့) အကောင့်ဝင်လိုက်ပါ

YouVersion သည် မိမိအတွေ့အကြုံကို စိတ်ကြိုက်ပြင်ဆင်ရန် ကွတ်ကီးများကို အသုံးပြုသည်။ ကျွန်ုပ်တို့၏ဝဘ်ဆိုဒ်ကိုအသုံးပြုခြင်းဖြင့် ကျွန်ုပ်တို့၏ ကိုယ်ရေးကိုယ်တာမူဝါဒတွင်ဖော်ပြထားသည့်အတိုင်း ကျွန်ုပ်တို့၏ cookies အသုံးပြုမှုကို လက်ခံပါသည်။